Aktualitet Bota Politikë

Vizita e David Cameron në Tiranë, zbardhet axhenda!

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron do të mikpritet në Tiranë më 22 maj nga vetë Kryeministri Edi Rama rreth orës 12:00. Më pas siç mëson gazetarja e Report Tv Raziela Myslimaj parashikohet një takim për rreth një orë me kreun e qeverisë që do të pasohet me një konferencë për mediet.

Fillimisht do të pritet nga homologu i tij, Ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani e më pas në orën 12.00 do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama.  Pas takimt me kreun e qverisë, i cili parashikohet të zgjasë rreth një orë, pritet të ketë edhe një dalje për mediat. Në orën 14.30 Sekretari i Jashtëm britanik do të pritet nga Presidenti Bajram Begaj.

Tabloidi britanik “The Sun” shkruan se Cameron do të vijë në Shqipëri për të prezantuar një program të ri kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri si dhe  për të njoftuar një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.

Burime për mediat bëjnë me takime do të zhvillojë edhe me Presidentin Bajram Begaj dhe Ministrin e Jashtëm Igli Hasani me fokus kryesisht emigracionin e paligjshëm dhe goditjen e grupeve kriminale.

Kjo vizitë e Cameron vjen pas një telefonate të zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij britanik më 10 maj. Qeveria shqiptare dhe ajo britanike janë angazhuar që në dhjetor të vitit 2022 përmes një marrëveshje për luftën e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, pasi një numër i madh shqiptarët kalonin ilegalisht përmes kanalit të La Manshit.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka publikuar detaje nga vizita e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron.

Ambasada bën me dije se “si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit”.

Njoftohet se “Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit”.

“Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.