Disa dhjetëra vepra arti të yllit të ndjerë të popit Michael Jackson do të ofrohen në një ankand që do të zhvillohet më 3 gusht në Los Angeles. Shtëpia e ankandeve “King’s Auctions” njoftoi se vendndodhja e këtij eventi do të shpallet më vonë dhe se do të jetë “një vend primar në Beverly Hills”.
Sipas njoftimit, 78 vizatime nga mbreti i ndjerë i popit do të ofrohen në ankand dhe çdo vizatim nënshkruhet nga ai personalisht, duke u dhënë fituesve të ankandit një pjesë të historisë së ikonës dhe muzikës pop.
Jackson, i cili ndërroi jetë në vitin 2009, ishte një i dashuruar i përjetshëm i arteve figurative dhe filloi të vizatonte në moshë të re. Gjatë turneut, Jackson vizatonte shpesh dhe kjo u bë hobi i tij.
Ai u ndikua nga shumë zhanre artistike, nga klasike dhe arkitektonike tek pop-art e deri tek portretet formale. Ai gjithashtu kishte një dashuri të madhe për Londrën dhe zakonet britanike.
Ofertat në mungesë dhe të drejtpërdrejta në internet do të jenë të disponueshme përmes LiveAuctioneers dhe veprat do të ekspozohen në Beverly Hills dhe Las Vegas.
Rikujtojmë se mbreti i muzikës pop kishte më shumë se 500 milionë dollarë borxh kur ndërroi jetë në vitin 2009. Këtë pretendojnë dokumentet e reja të gjykatës. I ndjeri ishte në një krizë të thellë financiare kur vdiq në moshën 50-vjeçare, sipas një peticioni që ekzekutorët e pasurisë së tij depozituan në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit.
“Në kohën e vdekjes së Michael Jackson, asetet më të rëndësishme të tij ishin subjekt i më shumë se 500 milionë dollarëve të borxhit dhe pretendimeve të kreditorëve, me një pjesë të borxhit që grumbullohej me norma interesi jashtëzakonisht të larta dhe një pjesë e borxhit në mospagim”-thuhej në dosje.