Aktualitet

Vitin e kaluar u rrit raporti i kredive me probleme për blerjen e pronave nga individët!

Në kredinë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët, raporti i kredisë me probleme shënoi rritje në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, u rrit në 3.2%, nga rreth 2 që kishte qenë në mesin e 2023-shit e 2.3% më 2022-shin. Por, sërish kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme, kryesisht banesave nga individët, mbetet ndër produktet me performancën më të mirë cilësore për sektorin bankar.

Por, rritja e raportit të kredive me probleme mund të jetë një sinjal kujdesi, duke pasur parasysh ritmet mjaft të larta të kreditimit në këtë segment të tregut gjatë viteve të fundit.

Kredia për shtëpi u rrit për të katërtin vit radhazi në vitin 2023. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh ose rreth 466 milion eurosh. Kredia e re për banesa u rrit me 5.2% krahasuar me vitin 2022.

Vlera e portofolit aktiv apo tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2023 arriti në pothuajse 181 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 8.4%. Që nga fundi i vitit 2019, portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët u rrit me 55%.

Normat e ulëta të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësit ndërsa paralelisht cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka rritur dhe kërkesën për kredi për shtëpi nga familjet duke shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.

Rritja e çmimeve ka ndikuar në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa, duke kontribuar ndjeshëm edhe në rritjen e volumeve të përgjithshme të këtij produkti. Zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme e të kredisë bankare për prona janë vlerësuar me shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në deklaratën e fundit për Shqipërinë, në janar të këtij viti, FMN-ja i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar. Sipas FMN-së, vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.

Rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë përmblidhen nga Banka e Shqipërisë në indeksin e Treguesit të Paralajmërimit të Hershëm (TPHP).

Në fund të tremujorit të katërt 2023, vlera e indeksit TPHP rezultoi 0.54, në rritje prej vlerës së tremujorit pararendës (0.51) dhe lehtësisht sipër vlerës së pragut krahasues të mesatares historike (0.5).

Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike nga FMN-ja mbështeten pikërisht te treguesit e paralajmërimit të hershëm dhe kryesisht te zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme e të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre.

Në vendimmarrjen e fundit, Banka e Shqipërisë nuk e vlerësoi “të nevojshme” një masë të tillë. Në vendimin e datës 2 prill 2024, guvernatori Gent Sejko vendosi që shtesa kundërciklike e kapitalit të vazhdojë të qëndrojë në nivelin zero.

Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta./Monitor