Aktualitet

Vitin e kaluar, qeveria rimori nga fermerët 16 milion euro prej rikthimit të TVSH-së/Sa 51% e subvencioneve!

Vitin e kaluar, heqja e përjashtimeve fiskale në sektorin e bujqësisë çoi në buxhetin e shtetit rreth 1,7 miliardë (16 milion euro të ardhura shtesë). Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, 0,9 miliardë lekë u arkëtuan nga eliminimi i skemës së kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6 në 0%, ndërsa 0,8 miliardë lekë, nga rikthimi i TVSH-së në inputet bujqësore.

Në paketën fiskale të vitit 2022, parlamenti miratoi vendosjen e TVSH-së prej 10% në inputet bujqësore, që më parë ishin të përjashtuara tërësisht nga TVSH-ja më 2019-ën. Gjithashtu u vendos të hiqej kreditimi i TVSH-së ndaj fermerëve, duke u bërë zero, nga 6% që ishte.

Të dhënat tregojnë se vetëm nga këto dy ndryshime, nga heqja e përjashtimeve, qeveria ka siguruar të ardhura shtesë prej fermerëve, sa gjysma e fondeve të dhëna këtë vit për bujqësinë nga skema kombëtare.

Këtë vit, qeveria dha 3,3 miliardë lekë subvencione, ku gati 51% janë gjeneruar nga barra e re fiskale ndaj sektorit bujqësor. Shuma prej 30 milion eurosh do të ndahet mes blegtorëve, bletarëve, fermerëve të serave e atyre që ndërtojnë sera organike.

Këtë vit, aplikimet për subvencione sidomos në skemën e blegtorisë kanë qenë më të larta. AZHBR-ja po aplikon pagesa më këste, pasi aplikimet janë më të larta se fondet në dispozicion.

Më 2022-shin, mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4,9 miliardë lekëve për 5 masa. Fillimisht, fondi i miratuar ishte 3,7 miliardë lekë duke iu shtuar 1,2 miliardë në mesin e vitit, për zbatimin e masës së re mbi dhënien e subvencioneve direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për ha, atyre fermerëve që kultivonin grurë në hapësira mbi 1 ha.

Në vendin tonë, sektori bujqësor vuan nga mungesa e mbështetjes financiare. Për fermerët, Shqipëria ofron mbështetjen më të ulët në rajon, teksa shërbimet e tjera financiare në bujqësi janë tërësisht të pazhvilluara.

Përveçse në shuma të vogla, procesi i shpërndarjes së subvencioneve shpesh është i padrejtë dhe nuk shkon aty ku duhet. Një hetim nga Zyra kundër Mashtrimit në BE (OLAF) zbuloi abuzime me fondet e BE-së për Bujqësinë nga programi IPARD, duke marrë masa për pezullimin e shpenzimeve të radhës.

Sektori i bujqësisë është më i madhi në ekonominë e vendit duke kontribuar në 20% të PBB-së e në rreth 40% të punësimit, por ka mbështetjen më të ulët me fonde publike në krahasim me sektorët e tjerë./Monitor