Rreziku i humbjes së shikimit normalisht rritet me kalimin e viteve. Sëmundje e syve që ndërlidhet me moshën është edhe glaukoma, e cila, sipas hulumtimeve të reja, mund të parandalohet duke konsumuar çaj të nxehtë. Glaukoma mund të çojë në humbjen e shikimit, ndërsa prekë 2% të popullsisë së Mbretërisë të Bashkuar mbi moshën 40 vjeç. Glaukoma shkakton krijimin e presionit të lëngjeve brenda syrit dhe kjo mund ta dëmtojë nervin optik.
Shpeshherë nuk ka simptoma të hershme të glaukomës, por kur sëmundja avancohet, simptomat përfshijnë dobësim serioz të shikimit, madje edhe humbje të shikimit. Sidoqoftë, studimi i fundit, i publikuar në ‘British Journal of Opthalmology’, ka zbuluar se konsumimi i çajit të nxehtë në përditshmëri është i ndërlidhur me rrezik më të vogël për diagnostikimin me glaukomë. Hulumtuesit, në bazë të eksperimenteve të ndryshme, kanë zbuluar se konsumuesit e çajit të nxehtë janë 74% më pak të prirë të kenë glaukomë.
Ndërkaq, çaji i mentës mund të jetë shumë i dobishëm nëse po përpiqeni të hiqni qafe yndyrën e barkut. Nutricionistja Courtney D’Angelo u shpreh për revistën “Eat This, Not That” se çaji i mentës është një nga pijet më të mira për humbje peshe. Hulumtimet e publikuara në “Journal of Clinical Gastroenterology” zbuluan se pjesëmarrësit që konsumonin mente ishin në gjendje të lehtësonin sindromën e zorrës së irrituar.
Ndërkaq, nëse ju pëlqen të konsumoni shumë çaj, atëherë shanset janë të mëdha se keni një imagjinatë më të pasur dhe jeni më kreativë sesa personat të cilët e shmangin këtë pije. Ekipi i psikologëve ka publikuar studimin në revistën ‘Food Quality and Preference’ dhe studimi ka përfshirë 50 studentë. Gjysma e studentëve pjesëmarrës kishin konsumuar çaj të zi çdo ditë, ndërsa të tjerët kishin konsumuar ujë. Psikologët i kishin analizuar aftësitë e tyre njohëse dhe kreative përmes testeve të ndryshme.