E ftuar në “Live from Tirana” ishte mjekja endokrinologe Sara Zavalani për të folur rreth problemeve hormonale të meshkujve dhe femrave, si dhe shenjat e para që na tregojnë se duhet t’i drejtohemi një mjeku.
Një vitaminë kryesore për funksionin e tiroides është vitamina D. A është i mjaftueshëm ekspozimi në diell për të marrë sasitë e nevojshme?
Shpesh shoh pacientë që janë çokollatë dhe kanë mungesë vitamine D. Nuk është e thënë se të rrish në diell zgjidh problemet e prodhimit të kësaj vitamine. Ka të bëjë shumë me vendodhjen, pozicionin tënd në lidhje me Ekuatorin, sepse kjo ndikon në mënyrë direkte në këndin që rrezet bien në lëkurën tënde. Gjëja më e mirë do të ishte që rrezet e diellit të binin pingul me lëkurën tënde, gjë që nuk ndodh në Shqipëri. Shumica e shqiptarëve kanë mungesë të vitaminës D për këtë arsye. Vitamina D e ulur shkakton dhe depresion. Për këtë arsye, është e rëndësishme të marrim suplemente të vitaminës D. Ato mund të përdoren gjatë gjithë vitit dhe koha e marrjes duhet të imitojë ciklin e diellit. Mos e merrni në darkë, sepse nxit pagjumësinë.
Cilat janë disa këshilla që të ruhemi nga problemet hormonale?
Kryesore janë aktiviteti fizik, mosdalja në diell në orët e pikut të vapës dhe të hidratohemi sa më shumë. Gjëja më e rëndësishme është, sigurisht, dieta e ulët në karbohidrate. Ato ndikojnë në inflamacionin e çdo qelize, jo thjesht ato të prodhuara nga tiroidet. Duhet patjetër vakte të rregullta dhe me orare të planifikuara që të nxitet metabolizmi i trupit në mënyrë të rregullt. Mbipesha është problemi më i dukshëm që del nga keqmenaxhimi i një diete. Adoleshentët sidomos duhet të kenë shumë kujdes, pasi ajo do të ndikojë në uljen e prodhimit të testosteronit te meshkujt dhe prek ciklet menstruale te femrat.