Ai gjithmonë është i drejtpërdrejtë dhe në asnjë intervistë nuk ngurron të shprehet pa filtra, fiks siç e ndjen. Aktori i humorit, Visjan Ukcenaj na ofroi një intervistë shumë të këndshme këtë të mërkurë në “Pardon My French” dhe zbuloi mjaft detaje sa i përket jetës personale dhe karrierës së tij.
Siç është shprehur edhe më parë, në Shqipëri nuk është e lehtë të jesh aktor, kjo edhe nëse i përket një televizioni të madh madje edhe nëse je çdo javë në transmetim ‘prime time’. Ashtu sikundër të gjithë njerëzit e tjerë edhe aktorët që i shihni gjatë gjithë kohës në role humori, duke qeshur e zbavitur, kanë probleme të shumta personale e profesionale.
Duke i shtuar këtyre edhe problemet në punë me kolegët apo njerëzit e njohur me të cilët profesioni i lidh çdo ditë. Pavarësisht se ka realizuar mbi 40 karaktere të ndryshme, Visjani u shpreh se nuk e kupton se si disa njerëz pa karakter mundohen ‘t’i prishin’ punë apo ta ‘godasin pas shpine’, në disa raste edhe sy më sy.
Thikat në profesionin tonë janë të pashmangshme por në fushën e artit janë gjithmonë të kamufluara. Duhet të ruheni nga njerëzit që mundohen t’jua fusin thikën nga para. Njeriu duhet të ketë gjithmonë një qëllim, të mos ndalet kurrë dhe të mbrojë familjen. Ti mund të ‘hash grushta’, por e rëndësishme është që të ngrihesh sërish.
Thënë kjo, aktori i mirënjohur dhe shumë i dashur i publikut shtoi se jeta e aktorëve nuk është si në Instagram, ashtu sikundër i çdokujt tjetër. Sipas tij, edhe aktorët kanë halle plot dhe puna e tyre ashtu si e shumë të tjerëve është e vështirë pavarësisht se nga jashtë duket e bukur, e thjesht dhe perfekte.