Së fundmi disa fotografi me pamje tronditëse janë bërë virale nga një kopsht zoologjik në Angli. South Lakes Safari Zoo në Cumbria të Anglisë ka qenë i përfshirë në polemika, pasi një kujdestar u vra nga një tigër më shumë se një dekadë më parë dhe rreth 500 kafshë kanë ngordhur në kopshtin zoologjik brenda tre vitesh.
Ky kopsht zoologjik është shoqëruar gjithashtu me probleme të tjera të sigurisë, përfshirë ngordhjen e 30 lemurëve në një zjarr dhe arratisjen e një rinoceronti të bardhë, i cili më pas u vra me armë.
Tani, foto të reja të kapura midis viteve 2017 dhe 2019 dhe të dhëna për BBC-në, tregojnë kafshë me plagë ose të ngordhura në këtë kopsht zoologjik. Këto pamje kanë rritur shqetësimet për mënyrën se si trajtohen kafshët, ndërkohë që autoritetet lokale po përballen me presion për të marrë masa të menjëhershme për përmirësimin e kushteve dhe sigurisë në këtë institucion, i cili prej vitesh është kritikuar nga aktivistët për të drejtat e kafshëve.