Aktorja australiane Rebel Wilson së fundmi ka kritikuar presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë ceremonisë vjetore të ‘BAFTA Awards’. Në një moment, kur shpjegoi sesi performanca e këngëtares Emilia Jones do të shoqërohej nga dy përkthyes të gjuhës së shenjave dhe dallimet mes tyre, Wilson tha përpara se të nxirrte gishtin e mesit se:
Për fat, në të gjitha gjuhët e shenjave, ky është gjesti për Putinin.
Publiku e mbështeti me duartrokitje këtë gjest nga ana e aktores. Kjo nuk ishte referenca e vetme për konfliktin që u bë gjatë ndarjes së çmimeve. Drejtuesi i BAFTA-s, Krishnendu Majumdar, hapi ceremoninë duke thënë:
Së bashku me kolegët tanë në Akademinë e Filmit të Ukrainës, ne qëndrojmë në solidaritet dhe shpresojmë për një kthim në paqe. U jemi jashtëzakonisht mirënjohës gazetarëve që mbulojnë Ukrainën, shumë prej të cilëve janë anëtarë të BAFTA-s. Lutjet tona janë me popullin e Ukrainës, si dhe me ata të prekur nga konflikte të tjera në mbarë botën.
Pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia hodhi një hije në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, teksa disa të nominuar mbanin shirita dhe distinktivë në ngjyrat blu dhe të verdhë të flamurit ukrainas. Të tjerë folën për krizën në tapetin e kuq dhe në skenë. Aktori britanik Benedict Cumberbatch tha se distinktivi me xhaketë blu dhe të verdhë që ai mbante ishte për të kundërshtuar presidentin “megalloman” rus Vladimir Putin i cili është duke bërë terror mbi Ukrainën.
Është një kohë shumë e frikshme dhe e trishtuar.
Shfaqja e këtij viti e ceremonisë BAFYA u zhvillua në Royal Albert Hall të Londrës.