Ka një diskutim të vazhdueshëm mbi të shkuarën dhe të tashmen që ndodh mes brezave të cilët nuk i shpëtojnë dot krahasimit mes tyre. Ndodh shpesh që të themi me një nostalgji disi melankolike sa kohë të mira ishin ato dikur ndonjëherë pa i kontestualizuar fare, duke i hequr fuqinë (melankolike) [t]e nostalgjisë në vete që lidhet me doemos me moshën. Duke hequr gjeneratën e Baby Boomers (1946-1964) dhe X (1965-1980); ka një përballje melodramatike që e shohim në media dhe rrjete sociale mes Millennials (1981-1996), Z (1997-2012) dhe gjeneratës Alpha (2013 e në vazhdim) për sa shumë kanë ndryshuar nocionet, shijet, produket e konsumizmit të shpejtë mes njerzve që i ndajnë jo shumë vite nga njëri-tjetri.
Sigurisht herët e para janë të paharrueshme. E sidomos herët e para të gjeneratës që i përkas – e cila ka kaluar në ndryshime të mëdha shoqërore dhe politike, ndryshime sistemesh që ndikonin ndjeshëm në jetën e secilit prej nesh. Kështu veç hapjes ndaj gjërave të huaja, shijimi i produkteve që dikur mbaheshin si ornamente zbukuruese të bufesë së televizorit (ky i fundit mbulohej nga një çentro e punuar me dorë që ngrihej lart sa herë ndizej – dhe kjo ishte diçka tejet ceremoniale), fillimet e viteve ‘90 sollën një kinema të re për një popull që mbas hermetizmit të diktaturës do të provonte produkte nga përtej oqeanin që vinin në formën e filmave të regjistruara nga kanali i vetëm televiziv në atë kohë – TVSH – që pasi i kishte regjistruar nga transmetimet e Rai-t apo gjetkë i transmetonte të titruar (pa u lodhur për të mbuluar logon e Rai-t). Të pamësuar me atë se çfarë mund të bënte kinemaja si një fëmijë 10 vjeç kujtoj shumë mirë kur me kërkesë të madhe nga publiku një film me Stallone-n apo Van Damme-n jepej nga e hëna deri të premten dhe nuk ngopeshim duke e parë.
“The Fugitive” (1993) ishte njëri prej këtyre.
Me protagonistë Harrison Ford dhe Tommy Lee Jones, në vitin kur doli konsiderohej filmi thriller më i mirë. Netflix sot po e prezanton për një gjeneratë që as e ka idenë e ekzistencës së tij. Frymëzuar nga një seri televizive, episodi i fundit i së cilës u transmetua në SHBA 26 vite para premierës së filmit, historia është shumë e pabesueshme për publikun e “Flutura në Kabinën Time” apo “Treni niset në 7 pa 5”. Dr. Richard Kimble akuzohet për vrasjen e së shoqes, së cilës prokuroi mendon se ai donte ti merrte pasurinë. Ama Kimble nuk e ka kryer krimin dhe duke u arratisur nga autobuzi që po e transportonte në burgun ku do të priste datën e dënimit me vdekje, fillon të lëvizë çdo gur për të provuar pafajsinë e tij. Kimble, interpretuar nga një Harrison Ford në lule të burrërisë, nga një mjek i rrespektuar do të bëhet një kriminel i rrezikshëm që kthen Chicago-n dhe rrethinat e tij përmbys. Një marshall (dhe shpura policore) – Tommy Lee Jones i është qepur këmba këmbës për ta kapur por është gjithmonë një hap me vonesë. [Në film do të njihni edhe një Julianne Moore fare të njomë]
Me regji të Andrew Davis, regjisori i filmave të famshëm të po atyre viteve me Steven Seagal – “Above The Law” dhe “Under Seige”, kur e shikon tani, 30 vite pas kupton se, nuk ishte aq i jashtëzakonshëm sa e kujtoje. Jo se nuk është argëtues, por qysh atëhere ke parë shumë më shumë dhe “The Fugitive” të duket një nga të shumtët pop-corn-films të hollywood-it të cilët të vetmin qëllim kanë argëtimin përmes historive të forta si kjo, përplasje makinash dhe trenash, apo skena grushti që zgjasin me shumë se roundi i një ndeshje boksi të vërtetë.
Me këtë në mendje, rënia e ‘mitit të kohës së artë të kinemasë’ të bën të mendosh, a mos vallë sallami Top Hat ka qënë thjesht një shije e zakontë sallami, apo çokollata Hilal ka qënë keq, shumë më keq se ato që ha sot. Kupton gjithashtu se lufta e brezave është e kotë – krahasimi i muzikës, librave, modës. Çdonjëri ka të tijat – dhe për shkak të viteve të fëmijërisë, adoleshencës, e rinisë, e sigurisht rrethanave, shërbejnë për të ngjizur kujtimet, duke pranuar se janë kujtimet që të mashtrojnë të mendosh se “The Fugitive” ka qënë maja, kur në fakt, je ti, në një kohë të caktuar, në një vend të caktuar.
Ekuacioni u zgjidh. Dua të vazhdoj të mendoj se Hilal ka qënë më e mirë se çokollatat sot.
“The Fugitive” është në Netflix.