Kthetrat e marrëdhënieve të personazheve në këtë film, ngulen thellë dhe nxjerrin gjak, sepse nevoja e njerëzve për dashuri sa normale dhe e shëndetshme mund të duket aq iracionale mund të kthehet. Për ju që kaloni ndonjë moment në Tik Tok, nuk mund të mos keni parë historinë e fiksimit të një djali me dikë, një nevojë e kthyer në një psikozë të rëndë, që sigurisht kërkon një thellim për të kuptuar dinamikat, por që parë nga sipërfaqja të ngjason me historinë e “Notes On a Scandal” bazuar në romanin “What Was She Thinking?.”Notes On A Scandal” (Çfarë po mendonte, Shënimet mbi një Skandal), të shkrimtares britanike Zoë Heller. Filmi ka për protagoniste dy fituese të çmimit Oscar, veteranen Judi Dench dhe një nga aktoret më të fuqishme të brezit të saj Cate Blanchett, të cilat interpretojnë dy mësuese të troshitura nga dëshira.
Epshi dhe morali nuk rrinë dot bashkë
Dench këtu është Barbara, një mësuese në prag të pensionit, e pamartuar, me një tërheqje të pashprehur për gratë e prerjes së Sheba-s luajtur nga Blanchett, mësuese arti, tërheqese, nënë e dy fëmijëve dhe e martuar. Barbara dëshiron Shebën, por Sheba dëshiron studentin e saj, një 15 vjeçar që e kthen atë në kohën kur ishte një tjetër gjë nga çe gjejmë.
Regjisori i filmit, Richard Eyre, ka drejtuar Teatrin Kombëtar në Londër (National Theater), ndërsa skenaristi, Patrick Marber është i njëjti i dramës “Closer”, një copëz e fuqishme teatrale, që u bë edhe më popullore nga ‘përkthimi’ për ekranin e vogël nga Mike Nichols. Muzika është realizuar nga një mjeshtër si Philip Glass.
Barbara Covett, është një personazh i zakonshëm, e tërhequr nga shoqëria, tejet introverte. Arsyeja për këtë kryesisht është seksualiteti i saj i vagullt, që nuk e ka lënë të jetojë e lirë, ose të krijojë marrëdhënie të vërteta me familjarët apo kolegët, edhe pse jeton në kohë kur homoseksualiteti është më i pranuar se sa në rininë e saj. E vetmja marrëdhënie e vërtetë e saj është ajo që ka me ditarin. Aty fillojmë të njohim ndjesitë e saj të para që kur mesuesja e re e artit, bjondja e hajtshme Sheba vjen në shkollën e Barbaras. Në fillim kjo e fundit e snobon mësuesen e re. Ajo i duket e papërshtatshme, fodulle, shumë joshëse për të qënë mësuese. Sjellja e ëmbël e Shebas do ta bëjë që më vonë të ndryshojë mendje e të nisë ta adhurojë e të krijojë me të një dashuri platonike me shpresën që një ditë ato të dyja do të ishin bashkë, bashkë kundër të gjithëve. Por ndërsa lidhja e tyre fillon e bëhet konkrete (të paktën si dy mikesha), portat e ferrit do të hapen. Barbara do të zbulojë se Sheba ka një raport të pa-turpshëm, skandaloz seksual me një nga nxënësit e saj (Steven, (Andrew Simpson)). Si fillim ajo do të përdorë këtë informacion për t’u afruar edhe më me Shebën. Ajo mësyn në familjen e fiksimit të saj duke u bërë e pakuptimtë për të shoqin, Richard (Bill Nighy) dhe dy fëmijët e saj kërkues (vajza adoleshente, djali me sindromën down).
Iracionaliteti i Barbaras shkon deri aty sa ti kërkojë Shebës të zgjedhë mes saj dhe familjes, dhe është pikërisht kjo zgjedhje që do të nisë një ortek ngjarjesh që do të trondisin personazhet thellësisht.
Por a do ti ndryshojë ata?
Është një pyetje që do ta merrni duke parë filmin.
Është e vështirë të kuptosh se filmi i cilit personazh është ky. Por ka disa përfundime që nxjerr prej tij e që janë të rëndësishme për t’u nxjerrë herët apo vonë. Është një pasqyrë për martesën e kohëve moderne, një skaner për raportet e shekullit të ri, një busull morale e cila bie vazhdimisht ndesh me dëshirat dhe ndjenjat. Në epokën e mizatropisë çfarë është dashuria dhe a mund të jetë ajo një paralele e moralit?!