Film & Tv

Vintage. “Mona Lisa Smile” është rifreksues ta shohësh në epokën hiper-feministe dhe kundërshtive që vazhdojnë.

Në fillim të shekullit që po jetojmë kishte një lëvizje në filmat e hollywood-it për të tejçuar mesazhin e gruas së emancipuar. Përpara “Me Too”, Weinstein dhe ‘Cancel Culture’ filma si “Mona Lisa Smile” apo “Down With Love” thërrisnin momente të së shkuarës kur gratë kërkonin ti iknin rolit që patriarku i vuri, ato mund të ishin shumë më shumë se shtëpiake, mund të ishin të barabarta me burrat.

20 vite më vonë ndodh shpesh në sallonet televizive të dëgjosh diskutime se kjo luftë e lëvizjes feministe ka shkuar shumë larg. Fjali të llojit “Ç’janë këto gra që nuk bëjnë asnjë ‘detyrë’ shtëpie  në emër të barazisë me burrat?!” apo “Shoh vetëm burra që nxjerrin fëmijët me karrocë” – thelbi i filmit nuk është në fakt ekstremi. Edhe pse personazhi i Julia Roberts tek “Mona Lisa Smile” është një grua e pavarur (ekonomikisht, shpirtërisht) që ka vendosur të jetojë jetën e pandikuar nga dogmat e pas Luftës së Dytë, ka disa personazhe që tregojnë se mund ta bësh kekun, por edhe ta hash, si alegori që gjërat nuk janë pse të jenë domosdoshmërisht të ndara.

Roberts është Katherine Watson, një kaliforniane që shkon në Wellesley College në 1953, një vend që normat e sjelljes, edukimit dhe familjes vazhdojnë të jenë të udhëzuara nga patriarku – ai moderni – por prapë me role të përcaktuara për burrat e gratë në shoqëri. Një Roberts e re, por e jashtëzakonshme në një rol që sigurisht nuk është ndër më të shkëlqyerit e saj por që i rri për shtat. Filmi është i mbushur me disa prej aktoreve më të njohura të para dhe pas viteve 2000, Kirsten Dunst (Betty Warren), Julia Stiles (Joan Brandwyn), Maggie Gyllenhaal (Giselle Levy) etj, të cilat portretizojnë gra që kanë ndryshuar ‘lëkurën’ por jo thelbin.

Në kohën kur mësuesit janë zëvendësuar nga ‘guru’-të që japin leksione vetëndihmuese, një grua vazhdon të jetë e dyzuar mes rrolit që biologjikisht ka, dhe atij që shoqëria kapitaliste, e emancipuar kërkon prej saj. Askush nuk e di me siguri cila është rruga e duhur, veç peshës së fajit që është aty për gratë, pavarësisht asaj që zgjedhin, gjithmonë nëse kushtet dhe forca e tyre personale janë të mjaftueshme që zgjedhja të ndodhë.

Edhe pse nga ngjarjet e filmit ka kaluar një shekull, asgjë nuk ka ndryshuar në thelb.

Gratë e shkolluara janë të [para]gjykuara nga shoqëria; Burrat tradhëtojnë; Burrat duan gra të nënshtruara, qoftë edhe nëse se thonë drejtpërdrejt; Gratë e pavarura janë kurva; Gratë e divorcuara janë të dobëta në sytë e mamave të tyre.

Moda ka ndërruar, muzika nuk është më e njëjta, idhujt gjithashtu, arti është kryekëput i ndryshëm, thelbi është i njëjtë, dhe do të qëndrojë i tillë për kush e di sa kohë. Është ri-freskuese ta mësoh këtë nga një film, ose të paktën ta ri-kujtosh. Të bën të jesh modest!