E di! Mendimi i parë i Besson-istave do jetë?! S’e ke parë, ku ke jetuar këto 30 vjet. Puna është që qëllon ndonjëherë të mos kesh parë atë që IMBD e ka futur në listën e 50 filmave më të mirë të të gjitha kohërave, sado kriminale mund të duket. Kjo për arsye më shumë subjektive sesa objektive. Në diskutime për një film të ri të Top Channel Films, titulli erdhi në tavolinë dhe regjisori që kisha përballë kishte xixa në sy kur fliste për “Leon” po aq sa për skenarin që kish shkruar vetë. Ishte një shenjë, duhet të gjeja kohë ta shihja filmin.
“Leon: Profesionisti” menjëherë kthehet në atë që mund të cilësohet një nga filmat më të mirë të xhiruar ndonjëherë. Xhiruar në një kohë kur aktrimi kishte rëndësi tjetër, në një epokë ku jo çdo gjë zbehej nga puritanizmi apo të qënit politikisht korrekt, me tre paraqitje, të treja për Oscar, njëra syresh debutimi i një 11 vjeçareje që do kthehej në një nga emrat më të njohur të Hollywood-it më vonë.
“Leon”, shkruar dhe drejtuar nga Luc Besson, ka dy kohë, koha kur doli, i censuruar masivisht për publikun amerikan në salla për shkak të përmbajtjes “jo të përshtatshme”, dhe koha kur ato 25 minuta [kritike] të prera, u kthyen në DVD e u panë nga shikuesi. Natyrisht filmi i parë me të dytin janë kryekëput të ndryshëm. I pari është një film aksion tipik, i dyti është një kryevepër. Janë këto 25 minuta që e transformojnë filmin në një histori të pamundur dashurie mes dy njerzve të paplotë.
Filmi nis me 10 minuta aksioni që na prezantojnë me protagonistin, atë që i vë emrin filmit – Leonin, i cili është një vrasës me pagesë, i hatashëm, i pagabueshëm, një ‘pastrues’, i përdorur nga klanet mafioze italiane në fundvitet 80 fillim vitet 90 në New York. Jeta e tij jashtë ‘profesionit’ është e shurdhët, e izoluar, një botë e qetë por e pagjumë. Kjo deri në momentin kur Mathilda i troket në derë, mbas një fatkeqsie në familjen e saj. Është vendimi i Leon për të hapur derën që ndryshon rrjedhën e ngjarjeve përgjithmonë në një rrëfenjë mjeshtërore për dashurinë, urrejtjen, hakmarrjen dhe pasionin.
Jean Reno, në moshe fare të re dhe naive, bën një punë fantastike në këpucët e vrasësit Leon. Edhe pse asgjë nuk tregohet për historinë e tij, pse është ashtu si është, Reno është i keqi i mirë i filmit në çdo skenë të tij.
Natalie Portman, ishte vetëm 11 vjeç kur xhiroi filmin e saj të parë. Portman është fantastike. Fatkeqsia është se në kohën kur filmi doli, skenat e prera nuk i dhanë mundësinë asaj të shihej nga publiku dhe kritika në të gjithë potencialin e saj, sepse Oscar-in e kishte në xhep.
Gary Oldman (Stansfield), një Oldman shumë i ri, është gjithashtu i jashtëzakonshëm. Kritikët ndahen kur vjen puna tek ai, disa i kanë cilësuar manierizmat e tij disi të tepruara, diçka me të cilën, vështirë të biesh dakord mbasi e sheh filmin. Oldman duket sikur ka modernizuar vargje shekspiriane dhe ka monopolizuar pervojat psikopatike.
Si çdo vepër që kalon nëpër disa etapa, duke humbur ose fituar shkëlqim rrugës “Leon: The Proffesional” fillimisht u cilësua si një film aksion tejet i dhunshëm me mesazhe të papërshtatshme të një historie dashurie erotike mes një burri matur dhe një vajze të mitur. I parë i plotë, qasjet e tilla kanë ndryshuar, e duke shtuar muzikën, dialogjet, fotografinë dhe zhvillimin e karaktereve që janë të niveleve më të larta, jo vetëm për kohën, filmi hyn për disa në Top 50, të tjerë në Top 20 apo Top 10.
Nuk dua të tregoj më asgjë për filmin. Nesë s’e keni parë, për arsye që i dini ju, merreni këtë si shenjë për ta parë!