Që në fillimet e saj Top Radio erdhi ndryshe nga radio me të cilën ishin mësuar shqiptarët – narrative si Radio Tirana. Ajo u kthye në reflektuese të komunikimit të brezit të ri duke u frymëzuar nga shembujt e stacioneve përtej detit. ‘Vintage’ është më e mira e arkivës së Top Albania-s në vitet kur Saimir Kodra, Gent Pjetri, Gerta Heta, Bojken Lako, Bendi Mani, Alketa Vejsiu sillnin copëza humoristike të cilat në formën e Jingles-ave transmetoheshin gjatë gjithë ditës gërshetuar me muzikën e momentit.
Ishte “Radio Mania” programi i cili linte zgjuar shqiptarët në ndrrimin e mijëvjeçarëve dhe ishte rikthimi i filmave të para viteve ’90 në formë humoristike që e lidhi dëgjuesin me këto skeçe radiofonike, aq shumë sa mezi prisnin të blinin kasetat me to. Personazhe të famshëm të ardhur ndryshe, si edhe personazhe origjinalë e bëjnë Vintage dhe krijuesit e saj fillimin e erës së re të humorit shqiptar e cila nisi nga Radio, Top Albania Radio, si çdo gjë tjetër e mirë…