Napoli e ka gati zgjidhjen për sulmuesin Osimhen. Edhe pse situata dukej mjaft e komplikuar, turqit e Gallatasarjit janë gati të paguajnë për të marrë shërbimet e nigerianit në formë huazimi. Dëmtimi i Mauro Ikardit, ka bindur klubin e njohur turk të hidhet në sulm për opsione të tjera. Napoli ka marrë një ofertë shumë të leverdishme, për huazimin e lojtarit deri në fund të sezonit, me palën turke që do të përballonte gjithë shpenzimet për të.
Osimhen është lënë jashtë planeve nga Napoli, i cili ka bërë të ditur se nuk do e kthejë në ekip pasi ai kishte refuzuar transferimin sipas kushteve që kishte bërë pala italiane. Dështimi i bisedimeve me anglezët e Çelsit, apo edhe me opsionet në Arabi, e ndërlikoi shumë situatën. Në këto rrethana, Napoli mbetej me një lojtar i cili i kushtonte shtrenjtë në bilanc dhe do të zhvlerësohej më shumë në treg duke qëndruar si spektator në pritje të janarit apo verës së ardhshme.
Futbollisti ka dhënë pëlqimin e tij për këtë zgjidhje qoftë edhe të përkohshme dhe kësisoj palët po shkojnë drejt një marrëveshje që i jep frymëmarrje në këtë situatë të komplikuar. Osimen ka luajtur 133 ndeshje dhe ka shënuar 76 gola me fanelën e Napolit.