Bota

Viktima nga sulmet izraelite në Gaza/Dhjetëra të lënduar në Izrael!

Izraeli nuk ndalet dhe raportohet se sulmet më të fundit ajrore izraelite në veri të Gazës vranë të paktën 22 persona, shumica gra dhe fëmijë, siç njoftuan sot zyrtarët palestinezë. Shërbimi i Emergjencave pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza e që drejtohet nga Hamasi, u shpreh se “11 gra dhe dy të mitur ishin në mesin e 22 personave që gjetën vdekjen gjatë një sulmi në orët e vona të së shtunës në Beit Lahija, në veriun e Gazës”.

Burime zyrtare të këtij dikasteri, po ashtu bënë të ditur se 15 vetë u plagosën, duke vënë në dukje se numri i viktimave mund të rritet. Shumica e tyre ishin anëtarë të tri familjeve. Ushtria izraelite deklaroi se ka kryer sulme që i përshkroi si “preçize” ndaj militantëve të Hamasit në një ndërtesë në Beit Lahija, duke theksuar edhe se ka “ndërmarrë hapa për të shmangur viktimat në mesin e civilëve” por burime palestineze deklarojnë se kjo “nuk ka ndodhur”.

Çdo ditë, Izraeli kryen sulme ajrore në mbarë Gazën, çka vazhdon që kur Hamasi, grupi palestinez i shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe rrëmbyer afro 250 të tjerë. Nga ofensiva izraelite në Gaza janë vrarë më shumë se 42 mijë palestinezë.

Ndërkaq, në një zhvillim tjetër, mësohet se një kamion u përplas me një stacion autobusi në afërsi të qytetit izraelit të Tel Avivit, duke lënë të lënduar dhjetëra persona, siç deklaruan autoritetet izraelite. Rrethanat ende nuk janë të qarta, por siç dihet, palestinezët kanë kryer me dhjetëra sulme të tilla në vitet e fundit. Kjo ndodhi në një rrugë në afërsi të selisë së agjencisë izraelite të Spiunazhit, Mossad.

Po ashtu, përveç luftës në Gaza, Izraeli po kryen një ofensivë ajrore e tokësore kundër Hezbollahut, grupit militant dhe njëherazi partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit. Dy persona u plagosën pas një sulmi me dron nga territori  libanez e që goditi një zonë industriale në veri të Izraelit, siç njoftuan autoritetet. Ndërkaq, Izraeli ka kryer sulme ajrore në një lagje të kryeqytetit Bejrut.