Bota

Viktima nga përmbytjet në Rumani, Poloni e Austri/Ka edhe të zhdukur!

Qytetarë të mbështetur nga autoritetet kanë vazhduar betejën me shirat e rrëmbyeshëm e për pasojë me vërshime në mbarë Europën Qendrore. Në Rumani autoritetet thanë se të paktën pesë persona kanë vdekur nga përmbytjet, si dhe dy raportohen të zhdukur.

Në Austri, një zjarrfikës ka humbur jetën gjatë operacioneve të shpëtimit e një viktimë nga vërshimet u raportua në Poloni. Ndërkaq, në Republikën Çeke katër persona konsiderohen të zhdukur, teksa autoritetet po përballen me reshje të mëdha shiu.

Në jugperëndim të Polonisë, dy diga raportohet se kanë shpërthyer, teksa autoritetet kanë thënë se situata është “kritike”. Në Rumani, rreth 20 komuna në tetë qarqe rumune janë prekur nga vërshimet. Mijëra shtëpi janë dëmtuar dhe dhjetëra mijëra persona janë prekur nga përmbytjet apo janë evakuuar.

Kryeministri Marcel Ciolacu ka njoftuar se janë ngritur vendstrehime të përkohshme për njerëzit që janë në rrezik nga vërshimet. Këtë njoftim, e bëri teksa dje vizitoi një prej qarqeve të goditura më rëndë, Galati. Kreu i qarkut të Galatit, Costel Fotea, tha se më shumë se 20.000 banorë në të paktën 24 komunitete janë prekur rëndë nga vërshimet.

Instituti Hidrologjik dhe i Menaxhimit të Ujërave në Rumani ka aktivizuar alarmin e kuq në Galati dhe Vaslui, ku në përpjekjet e shpëtimit po merr pjesë edhe ushtria, e cila po tenton që të arrijë te banorët që janë bllokuar.

Niveli i ujit në disa pjesë të Rumanisë arrin deri në tri metra. Ndërkaq, autoriteti për menaxhimin e ujit në Vroklav, në jugperëndim të Polonisë, raportoi se situata është kritike, pasi diga pothuajse 30 metra e lartë në afërsi të kufirit të Polonisë dhe Çekisë është thyer, duke detyruar që banorët të evakuohen. Më pas, edhe diga në Stronie Slaski, u raportua se u dëmtua.

Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se situata në jugperëndim të vendit është “dramatike”. Lidhjet hekurudhore mes Polonisë dhe Çekisë janë pezulluar. Në Austri, dhjetëra komuna janë shpallur zona të katastrofës. Në kryeqytetin çek, Pragë, autoritetet kanë vendosur masa për parandalimin e vërshimeve.

Në Republikën Çeke, policia raportoi se po kërkon tre persona makina e të cilëve ra në një lumë në lindje të shtetit. Rreth 250 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në Republikën Çeke.

Sipas parashikimit të motit, në Austri, Republikën Çeke, në jug të Gjermanisë, Hungari, Poloni dhe Sllovaki pritet të vazhdojnë reshjet e shiut.