Bota

Viktima e dëme në Odesë nga sulmet ruse në Ukrainë!

Në sulmet më të fundit gjatë natës, dronët rusë sulmuan qytetin port të Ukrainës, Odesë, duke vrarë një person dhe 13 të tjerë mbetën të plagosur, siç informoi sot guvernatori rajonal, Oleh Kiper. Disa godina banimi, shtëpi, si dhe qendra tregtare e dhjetëra makina private u dëmtuan nga ky sulm rus me dronë, i dyti radhazi në dy ditët e fundit në Odesë.

Armiku e sulmoi përsëri me dronë Odesën dhe rajonin aty pranë. Një person u vra dhe 13 të tjerë u plagosën. Në mesin e të plagosurve janë dy të mitur, djem të moshave 4 e 16 vjeç.

Rusia sulmoi me 51 dronë duke e përqendruar sulmin në Odesë e në rajonin përreth në jug të Ukrainës, siç bëri të ditur forca ajrore ukrainase duke shtuar se njësitet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 32 dronë rusë.

Po ashtu, dronët rusë shkaktuan një zjarr të madh në një nga distriktet e Odesës, referuar raportimeve nga transmetuesi publik Suspilne, duke cituar banorët. Të tjera media në qytet postuan pamje që shfaqin makina dhe ndërtesa në zjarr e tym të dendur që ngrihej drejt qiellit.

Forcat e Moskës i kanë intensifikuar sulmet ajrore ndaj qyteteve dhe fshatrave ukrainase, duke dërguar dronë pothuajse çdo natë. Ushtria e Ukrainës raportoi edhe se Rusia lëshoi më shumë se 2 mijë dronë sulmues ndaj objektivave civile e ushtarake në muajin tetor.

Por Moska thotë se nuk i sulmon civilët edhe pse Misioni Vëzhgues për të Drejtat e Njeriut i OKB-së në Ukrainë ka verifikuar duke konfirmuar 11 mijë e 743 civilë të vdekur nga dhuna e lidhur me konfliktin prej kohës kur nisi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022 e deri në fund të gushtit të këtij viti. Qeveria ukrainase thotë se numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë dhe kjo për shkak të vështirësive për të arritur në disa pjesë të vendit.