Ceremonisë prestigjoze të çmimeve “Oscar” duket se i ka rënë shkëlqimi këto vitet e fundit. Edhe pse është cilësuar si gjigant i kinematografisë botërore, duket se njerëzit nuk kanë më interes për ta ndjekur, të paktën dekadën e fundit. Audienca e kësaj ceremonie madhështore ka rënë me 70% në dekadën e fundit. Vlerësimet kanë rënë vazhdimisht me disa milionë çdo vit që nga viti 2014, përveç vitit 2019, kur pati një rritje modeste prej 3.1 milionë shikuesish. Vitin e kaluar, vlerësimet për shfaqjen ranë me më shumë se 50% nga një vit më parë.
Sipas “The Hollywood Reporter”, këtë vit ceremonia tërhoqi vetëm 15.36 milionë shikues, më shumë sesa ceremonia e vitit të kaluar, por gjithsesi janë shumë poshtë viteve të mëparshme. Në fakt shumë shfaqje u detyruan të organizonin ceremoni virtuale në vitin 2021 për shkak të pandemisë dhe kjo u shkaktoi atyre një audiencë jashtëzakonisht të ulët. Në një artikull të “New York Times”, analisti Ross Douthat shkruan se:
Brenda harkut më të madh të historisë së Hollywood ne nuk po shikojmë vetëm rënien e ‘Oscars’, ne po shikojmë fundin e filmave.
Edhe kur Hollywood përpiqet të sjellë magjinë e vjetër, me fjalë të tjera, publiku nuk është më aty për të. Rritja e konkurrentëve të ‘Oscar-it’ si dhe ofrimi i opsioneve të tjera të panumërta argëtuese, ka të ngjarë të ndikojë gjithashtu në rënien e shikimeve. Shifrat e audiencës tregojnë një përmirësim prej 56% krahasuar me ceremoninë e vitit 2021, e cila tërhoqi një nivel më të ulët të të gjitha kohërave prej 10.4 milionë shikuesish.
Rikujtojmë se “Coda” u shpall filmi më i mirë i edicionit të 94-rt të çmimeve ‘Oscar 2022’, në një ceremoni që për publikun shqiptar erdhi live në Top Channel. Komedia dramatike “Coda” me regji të Sian Heder është një remake i filmit francez të vitit 2014, “La Famille Bélier” dhe ku gjithçka vjen përmes gjuhës së shenjave në një familje peshkatarësh që nuk flasin, me përjashtim të vajzës. Në këtë link keni listën e plotë të fituesve të çmimeve ‘Oscar 2022’.
Krahas tre prezantueseve, aktoreve Wanda Sykes, Regina Hall e Amy Schumer, të shumtë ishin yjet e botës së kinemasë e të muzikës që u alternuan në skenë për të dorëzuar statujat e famshme në 24 kategori. Ndërkaq, tapeti i kuq u rikthye më magjik se kurrë. Ndërsa vitin e kaluar u pa një version i shkurtuar i ngjarjes për shkak të kufizimeve të lidhura me pandeminë, këtë vit e gjithë shkëlqimi dhe magjepsja u rikthye në këtë cep të Hollivudit. Me Andrew Garfield, Kristen Stewart, Jessie Buckley, Billie Eilish, Lily James, Zoë Kravitz dhe Mila Kunis moda nuk zhgënjeu. Ne ju njohim në këtë link me veshjet më të mira të ‘Oscars 2022’.