Aktualitet Politikë

Vigjilje Krishtlindjeje/ Meta dhe Rama dhe Basha urojnë besimtarët e krishterë dhe të gjithë shqiptarët

Presidenti i Republikës Ilir Meta, uron besimtarët e krishterë dhe mbarë popullin shqiptare për Krishtlindje.

Nëpërmjet një mesazhi në ‘Facebook’ Meta shprehet se mesazhi i përjetshëm i dashurisë që nuk shuhet kurrë i bën bashkë të gjithë njerëzit.

Po ashtu Meta thekson se në këto vigjilje secili prej nesh ka mundësinë të jetë një shembull i përkryer i dashurisë në rrugën drejt shpresës dhe besimit për një jetë më të bukur.

Mesazhi i Presidentit të Republikës Ilir Meta:

Nga zemra u uroj sonte GËZUAR KRISHTLINDJEN besimtarëve të krishterë dhe mbarë popullit shqiptar!

Mesazhi i përjetshëm i dashurisë, i dritës që nuk shuhet kurrë dhe i shpresës së pakufishme të kësaj feste, që na bashkon të gjithëve, prek dhe ngroh zemrat tona, duke sjellë më shumë lumturi dhe gëzim në çdo vatër familjare, na jep forcë përballë sfidave aktuale, na mbush me shpresë për ditët më të mira që ende nuk kanë ardhur.

Lindja e Krishtit i jep kuptim jetës brenda nesh dhe besimit për një të nesërme më të mirë, në paqe, dashuri dhe mirëqenie, na frymëzon e na bën më solidarë që të mos i harrojmë, të kujdesemi dhe t’u zgjasim dorën me përulësi atyre që kanë nevojë për përkrahje dhe mbështetje materiale dhe shpirtërore.

Ndërsa familjet dhe miqtë mblidhen sonte për të festuar, të mos harrojmë se secili prej nesh ka mundësinë të jetë një shembull i përkryer i dashurisë, në rrugën drejt shpresës, besimit për një jete të bukur, një familje të bekuar, një shoqërie të paqtë e të shëndetshme!

Për shumë mot GËZUAR KRISHTLINDJEN!

Rama uron Krishtlindjet me një kartolinë nga Thumana

Kryeministri Edi Rama ka uruar Krishtlindjet për të gjithë qytetarët në Shqipëri , Kosovë dhe kudo ku flitet shqip.

Ndërsa ka publikuar edhe një foto në ‘Facebook’, Rama tregon se është një kartolinë ekskluzive nga Thumana, nëpërmjet të cilës uron një vigjilje të bukur në çdo familje shqiptare.

Mesazhi i kryeministrit Edi Rama:

GËZUARKRISHTLINDJET me këtë kartolinë ekskluzive live nga Thumana:

“Krishtlindjet janë me të vërtetë Krishtlindje, kur kremtohen duke u dhënë dritën e dashurisë atyre që janë më nevojtarët për të”

Paçi një vigjilje të bukur të kësaj nate të bekuar në shtëpitë tuaja kudoqofshi në Shqipëri, Kosovë e kudo në botë ku flitet shqip dhe Zoti e bekoftë familjen tuaj.

Basha uron Krishtlindjen: “Zoti bekoftë çdo familje shqiptare”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar besimtarët e krishterë për Krishtlindje. Nëpërmjet një mesazhi në “Facebook’, Basha shpreh urimet më të mira për familjet shqiptare.

Mesazhi i kreut të PD-së Lulzim Basha: Të dashur besimtarë të krishterë, në vigjilje të Krishtlindjes, ju shpreh urimet më të mira për ju dhe familjet tuaja! Të shohim me shpresë dhe besim drejt të ardhmes tonë e të fëmijëve tanë.

Për shumë vjet Gëzuar Krishtlindjen! 🙏🏻 Zoti bekoftë çdo familje shqiptare!