Megi Pojani njihet si një ndër personazhet më pa komplekse dhe asnjëherë nuk ngurron të shfaqet ashtu siç dëshiron. Shpesh postimet e saj marrin sa komente pozitive aq edhe kritika, e ndonjëherë edhe ofendime. Një video e publikuar nga e motra e saj Marsi Pojani ditën e djeshme, u bë virale kudo në rrjet dhe padyshim nuk munguan fjalët nga më të ndryshmet. Në video shfaqej Megi teksa qeshte ndërkohë që pastronte varrin e stërgjyshes së saj. E ftuar sot në “Wake Up”, Megi tregon si qëndron e vërteta dhe kërkon falje publike për të gjithë ata që janë prekur nga kjo video.
Nuk e kam hapur videon fare dhe nuk e mbaj mend sepse ka 3 vite që është bërë. Unë jam zgjuar në mëngjes me të gjithë çmendurinë që po ndodhte gjithandej nëpër rrjetet sociale, nëpër portale dhe unë nuk kam guxuar ta hap videon dhe të them të drejtën kjo më ndodh shumë herë, me shumë materiale që mund të publikohen, thjesht refuzoj t’i shikoj. Unë kam kërkuar ndjesë për këtë video sepse ka një tranzicion që unë kam ndjekur si personazh e si njeri. Unë kam filluar të postoj në rrjetet sociale shumë vite më para dhe nuk e kuptoja atë herë as përgjegjësinë e të paturit një platformë sociale, pra e shfrytëzoja thjesht për t’u argëtuar.
Unë i kërkoj falje njerëzve që dhimbjen e humbjes së njeriut të dashur e kanë të freskët. I kërkoj falje njerëzve që akoma nuk e kanë kaluar atë tronditjen e madhe dhe dhimbjen e madhe të mos paturit më pranë një njeri që e kanë dashur fort. I kërkoj falje dhe atyre njerëzve që janë të ndjeshëm në atë vend. Por më duhet të shpjegoj diçka për mënyrën se si unë e kam parë këtë gjë dhe pse e kam bërë. Kur ajo video është bërë dhe përpara se ajo video të bëhej dhe që në fillim të herës që unë kam ardhur në këtë botë, unë jam mësuar nga familja ime të jem bashkëpunuese, shumë familjare.
Unë dhe motrat e mia gjithmonë shoqërojmë mamin kur shkon në varreza që takon prindërit e saj, gjyshërit e saj, familjarët e vetë dhe nuk është vetëm një proces që mami vetëm i viziton dhe t’i pret që të mbarojë. Është një proces ku ti duhet t’i hysh me themel. Pra ne shkojmë atje, jemi të trija, përveshim mëngët, mbushim kova me ujë dhe distancat janë shumë të largëta të një çezme që është atje dhe të një varri që është diku në mes aty mes baltës dhe barishteve. Duhet të shkulësh barin me rrënjë, duhet të pastrosh, të marrësh gjëra me vete, sende pastrimi.
Domethënë ky është një ritual që unë e bëj minimalisht 2-3 herë në vit me familjen time. Si mundem unë që vërtet përpiqem që mamaja ime të jetë më e qetë dhe që njerëzit tanë të dashur që janë ndarë nga jeta, të kenë një vend sa më dinjitoz për të pushuar në jetën e përtejme, si mundem unë të tregoj mungesë respekti ndaj këtyre njerëzve dhe mbi të gjitha që janë pjesë e familjes sime. Unë isha mbi varrin e stërstërgjyshes sime. Mami jonë është shumë e ndjeshme, sa herë shkojmë atje mami është gjithmonë duke qarë edhe pse flasim për një njeri që mund të ketë vdekur në ‘85-ën, shumë kohë më përpara.
Tani nuk e di a të vjen instiktive kur vjen në varreza, a është një mendim që në qoftë se je në varreza duhet të qash, por unë me thënë të drejtën nuk e shikoj dot mamin tim duke qarë dhe në momentin që jam aty bashkë me motrat e mia, në qoftë se mund ta ndihmojmë ndopak që ai njeri të lehtësohet nga dhimbja kur takon gjithmonë familjarët e vetë, do e bëjmë. Unë në një pikë e humba për të mos kujtuar që unë jam një personazh publik.