Një incident ka ndodhur këtë të mërkurë në ambientet e jashtme të Gjykatës së Posaçme, ku një person ka sulmuar me vezë kryetarin e Partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, Vangjel Dule.
Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule është vënë në “shënjestër” nga një qytetar, i cili e qëlloi me dy vezë.
Dule ndaloi për një moment i habitur me këtë veprim dhe më pas ngjiti shkallët e SPAK, për të qenë i pranishëm në seancën e kryebshkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
“Hajde këtu ore, do ikni siç ikin këlyshat e Serbisë”, i thotë personi që e goditi me vezë, ndërsa Dule i është kthyer se do të futej në SPAK.
I kontaktuar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Dule tha se sulmi i sotëm “ishte pjesë e një skenari”.
Në Gjykatën e Posaçme të Apelit u mbajt seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, pasi apeloi kërkesën e rrëzuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për të marrë leje të posaçme që të betohet në bashki. Gjykata e shtyu seancën duke mos marrë asnjë vendim ditën e sotme.
Dule u paraqit në GJKKO për të ndjekur nga afër senacën për kërkesën e Fredi Belerit për të rrëzuar vendimin për moslejimin e betimit të tij si kryebashkiak i Himarës. Por vendimi i Gjykatës së Posaçme u shty për të hënën e datës 29 janar.
Në seancën e sotme avokatët e Belerit kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtates së vetme Daniela Shirka, me arsyetimin se trupa duhet të ishte me tre anëtare dhe jo me një.
Përmes avokatëve, por edhe personalisht nga kafazi i sallës, Beleri ka kërkuar ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë, që i refuzoi kërkesën për leje të posaçme nga burgu.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, nën dyshimin për blerje votash.