Pacienti i parë të cilit i është implantuar një çip në tru nga kompania Neuralink e Elon Musk, së fundmi është shfaqur duke luajtur shah. Noland Arbaugh, pacienti 29 vjeçar i cili pas një aksidenti me makinë është paralizuar në disa pjesë të trupit të tij, ka marrë një implant nga Neuralink në fillim të këtij viti.
Së fundmi kompania ka publikuar një video ku Arbaugh shihet duke luajtur shah dhe duke ndaluar muzikën vetëm me anë të mendimeve të tij. Musk më parë tha se qëllimi i çipit është që t’i lejojë personat me aftësi të kufizuara si i ndjeri Stephen Hawking “të komunikojnë më shpejt”.
— Neuralink (@neuralink) March 20, 2024
Gjithashtu, miliarderi ka njoftuar se kompania e tij do të jetë në gjendje të trajtojë potencialisht obezitetin, autizmin, depresionin, dhe skizofreninë. Kompanisë së Musk iu dha leja për të testuar çipin te njerëzit nga FDA në maj, një moment historik pas përpjekjeve të mëparshme për të fituar miratimin. Kjo dha dritën jeshile për fillimin e studimit gjashtëvjeçar gjatë të cilit një robot po përdoret për të vendosur kirurgjikisht 64 fije fleksibël, më të holla se një fije floku, në një pjesë të trurit që kontrollon “qëllimin e lëvizjes”, sipas Neuralink.
Rikujtojmë, se një histori e pabesueshme ka ardhur së fundmi nga Rusia, ku një person, zgjodhi një metodë të padëgjuar më parë, për të kontrolluar ëndrrat e tij. Ai instaloi një çip në kokën e tij, por një incident gjatë një seance stërvitore bëri që atij t’i dëmtohej pajisja në fjalë, çka e bëri të domosdoshme një ndërhyrje kirurgjikale, pasi i rrezikohej jeta. Çipi i vendosur në kafkën e Mikhail Radugës, sipas këtij të fundit, e ndihmonte atë me ëndrrat, për të cilat thotë se ka punuar që në fëmijëri dhe ka eksperimentuar në këtë temë prej një viti e gjysmë.