Odise Roshi, Bekim Balaj, Klaus Gjasula dhe Ermir Lenjani, njoftuan së fundmi tërheqjen nga Kombëtarja shqiptare, ndërkohë që para startit të deulit ndaj Çekisë, u mbajt një ceremoni speciale në nder të 4 futbollistëve kuqezinj dhe kontributit që ata dhanë me fanellën e Shqipërisë. Roshi regjistroi 71 ndeshje me kuqezinjtë, Balaj 48, Lenjani 45 dhe Gjasula 29.
Të katërt ata u nderuan për karrierën e tyre të mrekullueshme dhe për atë që kanë dhënë në fushë për fanellën kuqezi.
Pasi u nderuan nga presidenti Duka, ata u duartrokitën dhe nga të gjithë tifozët e pranishëm në stadium.
Për më tepër shikoni videot e mëposhtme:
Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 20:45 në ‘Air Albania’ kundër Çekisë, sfidë e vlefshme për Grupin B1 në Ligën e Kombeve. Dueli vlen për kreun e grupit, pasi miqtë prijnë me një pikë më shumë (7), ndërsa kuqezinjtë janë ndjekës me një pikë më pak.
Veç saj, Shqipëria kërkon ‘hakmarrje’ edhe për faktin se një muaj më parë në Pragë (11 tetor), në sfidën e parë mes tyre për Ligën e Kombeve, çekët fituan 2-0 dhe Kombëtarja bëri një paraqitje për t’u harruar. Stadiumi është ‘sold out’ dhe më shumë se 21 mijë zemra do rrahin kuqezi nga shkallët e impiantit dhe miliona kudo ka shqiptarë. Pak orë para sfidës tifozët e Kombëtares kanë nisur festën në Tiranë.
Përballja e sotme është e pesta në histori mes skuadrave, me dy fitore të çekëve, një të kuqezinjve dhe një barazim. Triumfi i Shqipërisë ishte një vit më parë në Tiranë, me tanët që fitonin 3-0 me golat e Asanit dhe dopietën e Seferit, duke ‘zyrtarizuar’ kalimin në finalet e Euro 2024 që u zhvillua në Gjermani. Ndërkohë pesë gola ka shënuar Shqipëria në portën e çekëve, kundrejt gjashtë të pësuarve.