Rajoni

(Video) Deputeti i VMRO-DPMNE-së dogji propozimin francez, seanca ndërpritet; vijon nesër

Është mbyllur pa marrëveshje seanca parlamentare në Maqedoninë e Veriut për propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Miratimi i tij do t’i hapte rrugën konferencës së parë ndërqeveritare mes BE-së Shkupit dhe Tiranës. Vendet anëtare të bllokut nuk kanë pranuar që dy shtetet të vijojnë të ndara rrugëtimin e tyre evropian.

Në seancë, tensionet mes parlamentarëve në Shkup arritën kulmin kur deputetë të VMRO-DPMNE-së opozitare i vunë flakët dokumentit të propozimit francez. Ishte deputeti i VMRO-DPMNE-së, Jovan Jauleski, që i ka vënë flakën propozimit francez. Ky gjest i tij u duartrokit nga ana e deputetëve të opozitës.

Para tij edhe deputeti tjetër opozitar, Dragan Kovacki në fjalimin e tij shumë herë iu drejtua deputetëve të shumicës qeverisëse me fjalët tradhtarë, të degjeneruar, nuk meritoni të quheni maqedonas.

Më pas tentoi të djegë dokumentin që po diskutohet sot, i cili bazohet në propozimin francez, por dështoi me çakmakun e tij.
Pas edhe një fjalimi tjetër të një deputeti të opozitës, kryeparlamentari Talat Xhaferi mbylli seancën dhe vazhdimin e saj e caktoi për nesër.

Sa i përket konfliktit, përplasja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut lidhet me çështje të karakterit historik, çëhstje për të cilën Sofia ka vënë veton.
Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët. Qeveria e ka mbështetur propozimin, por jo opozita, që prej rreth dy javësh vijon të organizojë protesta. Të tilla pati edhe sot para selisë së Parlamentit.

Më herët gjatë ditës, deputetëve të Maqedonisë së Veriut iu drejtua me një fjalim presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Eshtë koha për marrjen e vendimeve të mençura, për ta çuar vendin drejt integrimit europian. Siguroj deputetët se me propozimin e modifikuar francez, nuk rrezikohet gjuha maqedonase. Kjo deklaratë e shefes së Komisionit Europian, u prit me duartrokitje nga deputetët e shumicës parlamentare dhe me fishkëllima nga të opozitës.