Truri i njeriut është vëzhguar si asnjëherë tjetër. Ky rezultat u arrit nga një platformë e re, e zhvilluar nga Instituti i Teknologjisë i Massachusetts-MIT Boston. Kjo platformë lejon studimin e të gjitha hemisferave cerebrale në 3D, duke i vëzhguar ato me rezolucion të paparë, në nivele të shumëfishta. Vëzhgimi nis që nga arkitektura e indeve, vazhdon me morfologjinë e qelizave dhe më pas thellohet në detajet më të vogla qelizore dhe molekulare, siç janë lidhjet ndërmjet neuroneve.
I testuar në një tru të shëndetshëm dhe në një me sëmundjen e Alzheimer, ky lloj zmadhimi bëri të mundur hetimin e dëmtimit të pësuar nga indi i sëmurë. Për të arritur këtë, ekipi hulumtues kombinoi tri teknologji të reja; një mikrotomë vibruese, një mjet që “pret” indet me një prerje ultra të saktë pa humbur lidhjet midis qelizave; një hidrogel që i bën mostrat e indeve të qarta, elastike, për t’i studiuar ato në shkallë të ndryshme.
Në fund, është softueri që rikompozon hemisferën cerebrale në 3D, madje duke rivendosur shtrirjen e enëve të gjakut dhe lidhjet midis neuroneve. Përzierja e këtyre teknologjive i lejon shkencëtarët të studiojnë mostrat pa i degraduar ato, përkundrazi, indet bëhen të qëndrueshme dhe mund të analizohen disa herë edhe pas disa vitesh. “Ne parashikojmë që kjo platformë teknologjike do të përmirësojë të kuptuarit tonë për funksionet e organeve njerëzore dhe mekanizmat e sëmundjeve, për të nxitur zhvillimin e terapive të reja”-thonë studiuesit e MIT.
Sipas tyre, vëzhgimi i hemisferave të tëra të trurit të njeriut është dyfish i rëndësishëm. Para së gjithash, lejon studimin e aspekteve të shumta në të njëjtën kohë në një tru të vetëm, pa pasur nevojë për njerëz të ndryshëm që mund të kenë dallime të rëndësishme. Së dyti, shpejtësia e ekzekutimit të kësaj qasjeje lejon krijimin e shumë mostrave për të përfaqësuar gjinitë, moshat dhe gjendjet e ndryshme të sëmundjes.
Ndërkaq, për dekada të tëra, shkencëtarët kompjuterikë janë përpjekur të imitojnë trurin e njeriut, duke riprodhuar rrjetet e tij nervore për të ndërtuar inteligjencë artificiale edhe më të avancuar. Në demonstrimin e fundit të efikasitetit të natyrës, një grup zviceran sapo ka lançuar një ‘biokomputer’ që ndërlidhet me qelizat pulsuese të trurit dhe sipas krijuesve të tij, përdor shumë më pak energji sesa kompjuterët tradicionalë.
Qelizat e trurit grupohen së bashku për të formuar organoide, të cilat vendosen në vargje të lidhura me elektroda. Ndërkohë, truri i njeriut përdor 86 miliardë neuronet e tij duke përdorur vetëm një pjesë të kësaj energjie; vetëm 0.3 kilovat orë në ditë. Tendencat e teknologjisë tregojnë gjithashtu se industria në lulëzim e inteligjencës artificiale do të konsumojë 3.5% të energjisë elektrike globale deri në vitin 2030.