Food & Drink Health & Beauty

Vezët e papërpunuara, sa të shëndetshme janë?

Vezët kanë shumë vlera ushqyese por sa është e shëndetshme të konsumohen vezët e papërpunuara, apo vezët e papërpunuara termikisht? Shumë njerëz preferojnë të konsumojnë vezë të papërpunuara, sepse nivelet e disa komponimeve ushqyese gjatë përpunimit termik bien në mënyrë të konsiderueshme. Megjithatë, përpunimi termik mund t’i bëjë disa komponime ushqyese edhe më efektive. Edhe pse nivelet e disa vitaminave (vitaminat C, B6, B9) gjatë përpunimit termik bien ndjeshëm, substancat e tjera ushqyese bëhen më efektive. Një studim ka treguar se trupi shumë më mirë i shfrytëzon proteinat e vezëve kur ato janë të përpunuara termikisht.

Duhet ta marrim parasysh salmonelën, e cila mund të jetë e pranishme në vezët e papërpunuara me cilësi të dyshimtë. Edhe pse larja e lëvozhgës së vezës para përdorimit e zvogëlon në masë të madhe rrezikun, nuk e eliminon atë plotësisht. Salmonela mund të jetë e pranishme në vetë brendësinë e vezës apo të verdhën e vezës. Gjithmonë duhet ta mbani mend se jo të gjitha llojet e vezëve e kanë të njëjtën cilësi. Më së miri është të zgjedhni vezë organike të cilat shumë më rrallë përmbajnë kompozime të dëmshme, vetëm rreth 5 për qind.

Nga rreziku i infektimit me salmonelë duhet të kenë më shumë frikë fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sistem të dobët imunitar. Kur i përpunoni vezët termikisht, ia mundësoni trupit që ta shfrytëzojë biotinën nga e verdha e vezës. Pikërisht kjo është arsyeja se pse njerëzit që hanë vetëm vezë të papërpunuara, shpesh kanë mungesë të biotinës në trup. Vezët e papërpunuara mund të jenë pjesë e një diete të ekuilibruar, por ekspertët këshillojnë që ta zgjedhni mesin e artë. Vezët i përpunoni termikisht në nivel minimal për të mos e reduktuar shumë përmbajtjen e materieve ushqyese, ndërkohë që e maksimizoni efektivitetin e ushqyesve të tjerë dhe ulni rrezikun e infektimit me salmonelë.

Proteina e vezës ka të gjitha aminoacidet që i duhen trupit tonë. Vezët janë burimi më i madh i proteinave me cilësi të lartë. Megjithatë, kryesisht për shkak të përmbajtjes së tyre të kolesterinës, vezët shkaktojnë polemika të shumta dhe mendime kontradiktore të ekspertëve, të cilat i referohen si sasisë së vezëve të plota, ashtu edhe pjesëve të tyre veç e veç. Të bardhat e vezëve, të verdhat apo që të dyja?

Të verdhat kanë marrë një reputacion të keq për shkak të përmbajtjes së kolesterinës dhe yndyrës. Ka njerëz që nuk hanë kurrë një vezë të plotë, por ndajnë të bardhat nga të verdhat. Pavarësisht nga disa deklarata të ndryshme nga studimet, të dyja pjesët e një veze përmbajnë lëndë ushqyese të vlefshme dhe ne duhet t’i hamë ato në atë mënyrë për të shfrytëzuar plotësisht nga përfitimet e tyre shëndetësore.