E ftuar në “Live from Tirana” ishte veterinerja Ornela Mebelli për të folur rreth kujdesit që ne duhet të kemi ndaj miqve tanë katërputrosh gjatë vapës së verës. Kafshët shtëpiake kanë nevojat e tyre specifike dhe është e rëndësishme që, në radhë të parë, i zoti të jetë i vetëdijshëm për to…
Sa e vuajnë kafshët periudhën e verës dhe a duhet të qethen?
Kafshët, ndryshe nga njerëzit, e vuajnë shumë vapën. Si njerëz, djersa na ndihmon të rregullojmë temperaturën e trupit me anë të poreve të lëkurës, kurse kafshët e kanë shumë të kufizuar këtë aftësi. Kanë pore në hundë dhe gojë, asnjë vend tjetër. Megjithatë, gëzofi i tyre është i atillë që i ndihmon vetë të ruajnë dhe rregullojnë temperaturën e trupit dhe kjo është pikërisht arsyeja që nuk duhet të qethen. Nëse do ta qethni, duhet bërë pak, aq sa për të hequr majat. Gëzofi gjithashtu e mbron nga dielli dhe nëse nuk është aty për ta mbrojtur, ata do të kenë probleme me lëkurën. Ka persona që dëshirojnë t’i qethin dhe nëse është kështu, evito oraret e drekës për shëtitje kur vapa dhe dielli janë më të theksuar. Herët në mëngjes dhe mbasdite vonë, pas orës 6, janë orare ideale. Mjafton vetëm që t’i krehësh, një qethje e plotë nuk është as e rekomanduar dhe as e nevojitur në shumicën e rasteve.
Cilat janë disa probleme që miqtë tanë hasin në verë dhe si e demonstrojnë këtë?
Do të shikoni një mungesë aktiviteti në ta, sepse kufizohen me oraret e nxehta. Nëse kjo pjesë e energjisë zgjat gjatë gjithë ditës, ka diçka që nuk shkon. Nëse lihen për një kohë shumë të gjatë në ambiente të nxehta dhe orare të papërshtatshme, ata do të përpiqen të hapin gojën në nivele më të mëdha se normale për të rregulluar temperaturat e trupit të tyre. Përsa i përket problematikave, ka disa sëmundje që duhet të mbahen parasysh. Në fillim janë dermatitet, ose problemet me lëkurën. Për shkak të diellit ose dietës ushqimore të mirëfilltë, këto probleme mund të lindin. Një diçka tjetër janë dhe parazitët, si për shembull pleshtat. Është koha që shumohen dhe pronarët duhet të kenë kujdes dhe t’u japin kafshëve të tyre trajtime parazitare. Problemet e lëkurës janë shumë serioze sepse nuk shërohen menjëherë, është një proces dhe do të ishte shumë më mirë nëse thjesht e parandalon. Ajo që i themi dhe ‘heatstroke’ janë gjithashtu aq problem për kafshët sa dhe për njerëzit. Nëse jetojnë në oborr, kini kujdes që të kenë hije dhe ujë. Nëse jo, situata mund të përkeqësohet dhe duhet të niseni menjëherë tek veterineri sepse mund të kemi humbje jete. Së fundmi, është alarmante vetëm nëse ata refuzojnë ushqimin. Nuk është shkak për alarm nëse ata hanë më pak.
Çfarë duhet të kemi parasysh rreth ushqimit që ata konsumojnë në verë?
Qenushët e duan shumë ujin, kështu që kujdesuni ta kenë me bollëk. Macet bëjnë teka dhe duhet që ushqimi i tyre të jetë i lëngshëm, qoftë në një formë supe apo nga konserva. Sigurisht, kjo shkon dhe për qentë. Do të ishte mirë që t’ua përgatisnit vetë. Duhet që të keni disa njohuri për ushqimin dhe të balanconi përbërësit e tyre të shumtë, si karbohidratet. Në këtë aspekt, nëse nuk keni njohuri, konservat vijnë gati me përbërësit e duhur.
Cili është ushqimi më i mirë gjatë verës për qentë?
Shumë mirë është që t’ua përgatisësh dhe vetë. Rregullo balancën e karbohidrateve dhe përbërësve të tjerë. Ki njohuri në fushën e ushqimit. Ki parasysh që mos të përdorësh kripën dhe yndyrën. Kripa është armiku kryesor për veshkat tek qenushët, kurse yndyrnat vendosin shëndet. Konservat i ke gati se çfarë duhet të përdorësh dhe është më e lehtë, por është dhe mirë t’i gatuash vetë disa herë.
A është mirë t’i marrim me vete në plazh dhe çfarë duhet të kemi kujdes?
Sugjeroj gjithmonë që, meqë është pjesëtar i familjes, t’i merrni me vete dhe mos t’i lini mbrapa. Ka disa gjëra që duhet të merren parasysh nëse do t’i sillni në plazh. Së pari, sigurojini hijen, ujin dhe ushqime të lëngshme. Rëra, ashtu si asfalti, nxehet shumë në verë. Putrat e tyre janë sensitive dhe ato ndihmojnë në ajrosjen. Kur shkelin në sipërfaqe aq të nxehta, ata bllokohen. Sigurohuni që t’i shpëlani këmbët me ujë të ëmbël në mënyrë që t’i hiqni rërën dhe kripën, pasi ato mund t’i irritojnë dhe do të fillojnë të kruhen. Gjatë rrugës, atyre iu pëlqen që të nxjerrin kokën jashtë dhe e shijojnë vërtet këtë. Por, asnjëherë mos i lini vetëm në makinë, nëse makina është poshtë rrezeve të diellit. Temperatura rritet shumë edhe nëse mbani xhamat hapur.