Aktualitet Sociale

Vetëm gjysma e kryeqytetit me tironsa, pastaj vijnë dibranët e korçarët!

Popullsia e Tiranës arriti në 598,176 banorë në censin e vitit 2023 por të dhënat e fundit tregojnë se vetëm 52% e tyre (310 mijë) kishin lindur në Tiranë e gati gjysma e banorëve janë nga qarqet e tjera. Sipas të dhënave të detajuara nga INSTAT-i, pas tiranasve, dibranët janë komuniteti më i madh në kryeqytet. 6.5% e popullsisë në kryeqytet kishin vendlindjen Dibër, të ndjekur nga korçarët, i treti komunitet më i madh. 6% e popullsisë së kryeqytetit kishte vendlindje Korçën.

Më pas, shumicë e madhe në Tiranë janë të lindurit në Fier e Berat me përkatësisht 5.1%. Mbi 27 mijë banorë ose 4.6% e popullsisë së kryeqytetit kishin vendlindje Kukësin. Lëvizja më të vogla drejt Tiranës ka patur Lezha e Durrësi, pasi të lindurit në këto qarqe, përkatësisht zunë 1.9 dhe 2.4% të popullsisë totale të Bashkisë Tiranë.

Vitin e kaluar, në Tiranë kishte mbi 14 mijë shtetas të huaj, të cilët zunë 2.4% të popullsisë së kryeqytetit.

Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, qendër graviteti në krahasim me të tjerat për emigracionin e brendshëm është shtuar vetëm me 40 mijë e 754 banorë nga 2011-ta më 2023-shin e në total janë 598,176 banorë.

Rritja e vogël popullsisë së kryeqytetit nuk është një lajm i mirë për ndërtuesit, të cilët, deri më tani po punojnë mbi projeksione të gabuara, me të dhëna që Tirana rritet me 20-25 mijë banorë në vit.

Popullsia e Tiranës ka pësuar një tranzicion të fortë demografik. Që në vitet e para të tranzicionit, vendasit janë drejtuar në emigracion, teksa mungesa e tyre është plotësuar me të ardhur nga të tjerë qarqe të vendit.

Tranzicioni demografik vijon të jetë intensiv pasi gjithnjë e më shumë të arsimuar po ikin nga Tirana jashtë vendit.  Popullsia e Tiranës rezulton të jetë shtuar me rreth 3400 banorë në vit ndërmjet viteve 2011 e 2023. Kjo në kohën kur në Tiranë janë dhënë leje nga bashkia për një shtesë vjetore prej mbi 20 mijë banorësh në vit./Monitor