Pas 2016-ës, ndërtimi u përfshi në zhvillime të vrullshme kryesisht në ndërtimin e banesave rezidenciale në Tiranë dhe bregdet, por të dhënat e Censit 2023 tregojnë se vetëm 5.5% e familjeve shqiptare banojnë në to. Pjesa më e madhe familjeve shqiptare, 37.5% jetojnë në ndërtesa të ndërtuara mes viteve 1981-2000. Grupi i dytë më madh i familjeve jeton në banesat e ndërtuara ndërmjet viteve 2011-2010, me 24%. 2.4% e familjeve jetojnë në banesat që datojnë mbi 100 vite më parë.
Të dhënat sugjerojnë se një pjesë e banesave të ndërtuara pas vitit 2016 ose janë blerë nga të huajt ose për investime nga vendasit, por që nuk banohen nga rezidentë që rrinë në Shqipëri. Nga fondi i total i banesave në pallate, 40% e tyre janë bosh sipas të dhënave të Censit por në zonat urbane e kryesisht në Tiranë, ndërtesat rezidenciale po marrin një hov të ri me ndërtimin e apartamenteve të luksit në kulla të larta.
Të dhënat e Censit tregojnë se në të gjithë vendin ka 755.950 njësi familjarë, të cilat jetojnë në 726,325 banesa. Nga këto shifra mësohet se ende 30 mijë familje e ndajnë banesën me një familje tjetër. Megjithë valën e ndërtimeve dhe të banesave që rrinë bosh, pothuajse gjysma e familjeve, aktualisht (47.1%) jetojnë në banesa me sipërfaqe 40-69 metër katror dhe vetëm rreth një e katërta (23.7% kishin një hapësire të dobishme prej 70-99 m2 ).
Në 15% të banesave jetojnë familje që nuk kanë rrjet ujësjellësi brenda tyre. Popullsia e Shqipërisë është pakësuar me shpejtësi në tre dekadat e fundit, teksa stoku i banesave po rritet. Në vitin 1990, popullsia e vendit ishte rreth 3,2 milion banorë ndërsa me të dhënat e Censit 2023 ishte vetëm 2.4 milion banorë, me tkurrje 25% nga rënia e komunizmit. Në vitin 2023, nga të dhënat e Censit u zbulua se nga banesat e banueshme, mbi 12% e tyre kishte vetëm një banor.
Gjithsej, në të gjithë vendin janë rreth 91 mijë banesa në të cilat jeton një person i vetëm. Këto banesa zotërohen kryesisht nga persona të moshuar, me fëmijë në emigracion dhe kur njëri nga bashkëshortët është ndarë nga jeta. Nga stoku i njësive të banueshme, rreth 202.8 mijë banesa banohen vetëm nga dy persona. Ekspertë të statistikave tregojnë se numri i lartë shtëpive që banohen nga një person ose vetëm dy persona tregon për fluksin e lartë të emigrimit të të rinjve duke lënë të vetëm prindërit e tyre./Monitor