Në Met Gala-n e këtij viti ishte e ftuar edhe sipërmarrësja indiane Mona Patel. Ajo kishte veshur një krijim të stilistit holandez Iris Van Herpen, për të cilin shumë e quajtën si e veshura më mirë në ceremoninë e Met Gala. Fustani ka të qepura flutura, korse dhe dantella. Shumë shpejt fotot e saj janë bërë virale në rrjetet sociale. Shumë komentuan se nuk e dinin se kush ishte në të vërtetë Mona, por theksuan se ajo ishte veshur më së miri duke pasur parasysh kodin e veshjes.
Për kujtesë, kodi zyrtar i veshjes për këtë ngjarje ishte ‘Kopshti i Kohës’. Tema e ka marrë emrin nga një tregim i shkurtër i vitit 1962 nga shkrimtari britanik JG Ballard, i vendosur në një kopsht të mbushur me lule të tejdukshme që manipulojnë kohën. Mona është aktive edhe në rrjetet sociale ku ndiqet nga gati 50 mijë persona.
Ndërkaq, fustani i Jennifer Lopez në Met Gala 2024 ka tejkaluar çdo pritshmëri. Një fustan mahnitës i gjithi i krijuar me dorë nga shtëpia e modës Schiaparelli Haute Couture dhe i krijuar nga Daniel Roseberry. Sipas njoftimit zyrtar të shtëpisë së modës, fustani pa rripa dhe i gjithi tyl i qëndisur që krijonte një iluzion me pamjen, ishte i qëndisur me perla agjendi dhe diamante të rremë.
U deshën mbi 2.5 milionë rruaza argjendi për t’u bërë dhe 800 orë qëndisje me dorë. Met Gala është cilësuar si ngjarja më e rëndësishme e modës së vitit dhe megjithëse pak njerëz marrin ftesë, ata duhet të paguajnë 75,000 dollarë biletën. Met Gala bëhet çdo të hënë të parë të majit dhe me ardhjen e saj çdo herë diskutohet edhe për koston e biletave. Procesi fillon me marrjen e një ftese, nuk mund të blejë kushdo një biletë, edhe nëse janë të gatshëm të shpenzojnë një shumë të konsiderueshme parash.
Biletat individuale për Met Gala-n këtë vit kanë kushtuar 75,000 dollarë, krahasuar me 50,000 dollarë në vitin 2023. Çmimi i tavolinave fillon nga 350,000 dollarë. Shpesh, shtëpitë e modës blejnë tavolina dhe ftojnë personalitete me profil të lartë. Për këtë arsye, edhe yjet më të pasur rrallëherë paguajnë çmimin e plotë për vendet e tyre.