Miliarderi Elon Musk deklaroi sot se “plani i tij për të blerë kompaninë Twitter për 44 miliard dollarë, është përkohësisht në pritje”, ndërsa po tenton të përcaktojë numrin e saktë të llogarive të rreme në rrjetet sociale. Musk, i cili ka folur hapur për dëshirën e tij që të zgjidhë problemin e kompanisë Twitter me profilet mashtruese, duket edhe se është shumë i interesuar për të mësuar nëse kompania i ka raportuar apo jo në mënyrë të drejtë mashtrimet në fjalë.
Marrëveshja për Twitter-in është përkohësisht në pritje, për shkak të hollësive të lidhura me llogaritë e rreme dhe nëse ato realisht përbëjnë pesë për qind të përdoruesve!
Twitter deal temporarily on hold pending details supporting calculation that spam/fake accounts do indeed represent less than 5% of usershttps://t.co/Y2t0QMuuyn
— Elon Musk (@elonmusk) May 13, 2022
Me këto fjalë, Musk dha shenja se dyshon që kjo shifër është kaq e ulët. Por, ende nuk është bërë e qartë nëse një gjë e tillë mund të ndikojë në marrëveshje. Vlera e aksioneve në Twitter dhe Tesla kanë marrë drejtime të kundërta. Kjo pasi Twitter pësoi rënie me 18 për qind, ndërsa vlera e Teslas u rrit me pesë për qind.
Megjithatë, manjati afrikano-jugor ka shitur aksione në vlerën e tetë miliard dollarëve për të financuar blerjen e Twitter-it. Disa analistë kanë thënë se deklarimi i Musk-ut mund të jetë strategji e tij për të negociuar çmim më të ulët për blerjen e kompanisë apo edhe për t’u tërhequr plotësisht nga ajo, ndonëse në këtë rast do t’i duhej të paguante 1 miliard dollarë gjobë.
Elon Musk e bëri këtë deklaratë, një ditë pasi Twitter shkarkoi nga detyra dy prej menaxherëve kryesorë të kompanisë. Twitter ka konfimuar se është duke pezulluar shumicën e posteve, me përjashtim të atyre kritike.
Më herët gjatë javës, drejtori ekzekutiv i kompanisë Tesla, zyrtarisht tha se do të heqë ndalimin e vendosur në Twitter ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Deklaratën, e bëri në konferencën me temë: “E ardhmja e makinave”, që u organizua nga gazeta “Financial Times”. Musk, i cili e quan veten “përkrahës absolut të fjalës së lirë”, si dhe “mbrojtës të paepur të amendamentit të parë”, vuri në dukje se “Twitter nuk po e përmbushte potencialin si platformë e fjalës së lirë”.