E ftuar përmes një lidhje telefonike në “Live from Tirana” ishte psikologia Lediona Braho për të folur rreth problemeve që njerëzit hasin gjatë stinës së verës. E megjithëse e shumëpritur, shumë njerëz nuk dinë si t’i shijojnë ato, shpesh për shkak të paaftësisë për të moderuar stresin, pritshmëritë dhe përgjegjësitë vetjake.
Pse ndodh që ndihemi të vetmuar dhe të plogësht në verë?
Njerëzit mund të kenë arsye nga më të ndryshmet. Ka elementë si imazhi trupor që të gjithë kemi për veten, i cili dashur pa dashur ekspozohet dhe dalin në pah defekte të caktuara, qoftë ato të supozuara ose të vërteta nga njerëzit. Shumë janë vërtet perceptivë rreth peshës dhe paraqitjes së tyre, një burim stresi shumë i madh. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj rrjeteve sociale nuk të bën favor në këtë aspekt, shpesh sheh trupa perfektë dhe lind nevoja që dhe ti të dukesh si ata, të jesh në peshë optimale dhe formë trupore ideale. Është shumë e vështirë që t’iu rrish larg këtyre faktorëve. Për ata që nuk interesohen për këto, ka padyshim rrethana të tjera sepse vera është si një alarm i kuq. Një vit i vështirë dhe sfidues pune grumbullon stresin e një sezoni hektik që supozohej ta çliroje në verë ndërsa shijoje pushimet e tua, por shumë nuk arrijnë që ta bëjnë këtë. Stresi grumbullohet dhe ata e mbartin, ngarkesa sa vjen dhe shtohet deri sa vjen vera, kur del në pah. Shëndeti fizik dhe mendor janë e njëjta gjë, është gabim nëse i diferencojmë ato. Ato influencojnë njëra tjetrën.
Si mund ta përmirësojmë veten?
Secili nga ne mund ta përmirësojë veten. Shumë njerëz bëjnë kurse ose rrugëtime të gjata që të përmirësohen, si veten dhe jetën e tyre. Megjithatë, ne mund të fillojmë me hapa të vegjël. Së pari me ushqyerjen, aktivitetin fizik, ekuilibrin në punë, pushimet dhe relaksin, të përpiqemi të flasim me dikë dhe të bëjmë terapi. Njerëzit nisen nga nevoja, por ka të bëjë dhe vullneti dhe sasia e disiplinës që luan një rol në rregullimin e jetës së tyre. Nuk është e thjeshtë dhe do shumë punë, por duhet të kujdesemi për të mbajtur një ekuilibër. Nëse dështojmë në këtë aspekt, edhe pse me qëllime të mira si për shembull dëshira për t’u dukur i fortë dhe në kontroll, ato i nxjerrin vetë shenjat e alarmit në rrethana të padëshiruara.