Së fundmi këngëtari i njohur kanadez Justin Bieber ka hedhur poshtë padinë për shpifje që kishte ngritur kundër dy vajzave anonime që e akuzuan atë për sulm seksual. Këngëtari i hitit “Peaches” i kërkoi një gjykatësi të Los Angeles-it që të pushonte çështjen. Një burim tregoi për ‘TMZ’ se Bieber vendosi të hiqte dorë nga padia, sepse ai ndjeu se e kishte shprehur mendimin e tij dhe donte të ecte përpara. Ai paditi dy vajza anonime për 20 milionë dollarë, 10 milionë dollarë secila në qershor 2020, pasi ato pretenduan në Twitter se ai i kishte sulmuar seksualisht në 2014 dhe 2015.
Justin mohoi me forcë pretendimet e tyre, duke deklaruar në dokumentet e gjykatës në atë kohë se ai kishte prova që vërtetonin se akuzat ishin gënjeshtra. Themeluesi i ‘Drew House’ gjithashtu pretendoi në padinë e tij se ai besonte se dy vajzat po punonin së bashku për të dëmtuar reputacionin e tij ose se ato mund të ishin potencialisht i njëjti person që operon llogari të shumta në “Twitter”. Njëra nga vajzat, pretendoi se Bieber e kishte sulmuar atë seksualisht ndërsa ishte në Austin, Teksas, për festivalin ‘South by Southwest’ në mars 2014.
Incidenti i supozuar ndodhi në një dhomë të Four Seasons, por artisti deklaroi se nuk qëndroi kurrë në hotel dhe në fakt kishte një pronë me qira aty pranë me të dashurën e atëhershme Selena Gomez. Ndërsa akuzuesja e dytë pretendoi se ai e sulmoi atë në New York në mars 2015, kur ishte në qytet për Met Gala. Padia e këngëtarit pretendonte se akuzuesja e dytë ishte një fanse e cila priste jashtë hoteleve të tij dhe se ajo pranoi në Twitter se nuk e kishte takuar kurrë atë në datën e sulmit të supozuar.
Bieber, i cili është i martuar me Hailey Baldwin që nga viti 2018, pohoi gjithashtu se ai kishte shkuar në një festë private pas Met Gala, duke thënë në dokumentet e gjykatës se kishte prova me foto. Rikujtojmë se Justin kohët e fundit ka qenë shumë i shqetësuar për gruan e tij pas problemeve dhe shqetësimeve të saj shëndetësore. Thuhet se artisti kanadez e përjetoi shumë keq shtrimin e saj në spital.