Në pallatin e famshëm Alhambra të Granadës në Spanjë, një vepër hidraulike 1000-vjeçare ende u bën përshtypje inxhinierëve sot. Në atë kohë, ishte një nga rrjetet hidraulike më të sofistikuara në botë, në gjendje të sfidonte gravitetin dhe të ngrinte ujin nga lumi gati një kilometër më poshtë. Për mijëvjeçarë, qytetet e mëdha janë ngritur në brigjet e lumenjve, liqeneve dhe deteve.
Edhe Granada, u zhvillua përgjatë lumenjve Darro dhe Genil. Për sundimtarët islamikë që kontrollonin dikur Granadën dhe pjesë të tjera të Spanjës për gati 800 vjet, uji luante një funksion madhor në shoqëri, jo vetëm për mbijetesë, por edhe për qëllime fetare dhe estetike.
Shatërvanët publikë, të zbukuruar me pllaka qeramike, vazhdojnë të jenë të shumtë në rrugët e qyteteve andaluziane. Ata vendoseshin pranë xhamive për të marrë abdes, ose pranë portave të qytetit për të shuar etjen e udhëtarëve. Përveçse në ambiente publike, edhe në oborret e shtëpive spanjolle ishin të shumtë shatërvanët, pishinat, çezmat, pellgjet etj. Mirëpo nuk ishte gjithmonë kështu. Historianët besojnë se Alhambra u krijua si një kështjellë në shekullin e 9-të nga Sawwar ben Hamdun, gjatë luftërave midis myslimanëve dhe të krishterëve që u konvertuan në islam.
Megjithatë, deri në shekullin e 13-të, inxhinierët u përpoqën shumë për të sfiduar vendndodhjen dhe relievin e vështirë të Alhambrës në Kodrën Sabika, duke e shndërruar atë në një qytet të banueshëm, me akses në ujë të freskët të rrjedhshëm. Maurët e hershëm përdornin “acequia“ të thjeshta, ose kanale të vogla, për shekuj me radhë, bazuar në teknikat e ujitjes që kishin mësuar nga persianët dhe romakët, gjatë zgjerimit të tyre në Gadishullin Iberik. Mirëpo risia ishte të projektonin një kanal që do të transportonte ujë 6 km nga lumi më i afërt dhe më pas ta ngjisnin në oborret, kopshtet dhe banjat e tyre.
Një “azud”, ose digë, u ndërtua për të devijuar rrjedhën e lumit, duke e transportuar atë në shpatin e kodrës dhe më pas duke e shpërndarë ujin në kanale më të vogla, si dhe një mori tubash në një rrjet të ndërthurur në mënyrë të përsosur. Me kalimin e kohës, sistemi i ujitjes së qytetit u zgjerua. U ndërtuan më shumë kanale uji dhe “alberka” (pishina të mëdha), si dhe u shtuan cisterna për të mbledhur ujin e shiut. Më vonë, një kanal tjetër u shkëput nga ujësjellësi kryesor, duke e çuar ujin edhe më lart për të ujitur pemishtet.
Sot të gjithë këto shatërvanë dhe kanale shihen si objekte të mirëfillta arti. I tillë është “Shatërvani i Luanëve” i ndërtuar me mermer të bardhë dhe i rrethuar nga kolona të gdhendura me zbukurime. Po ashtu, shumë i famshëm është edhe “Shatërvani i Lotëve”, pjesë e statusit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Pas shekullit të 20, fatkeqësisht, i gjithë ky sistem i transportimit të ujit, u dëmtua dhe nuk u mirëmbajt më, ndaj aktualisht organizata të ndryshme po përpiqen të restaurojnë dhe të vënë sërish në funksion këtë ujësjellës unik.