Arti gjithmonë e ka pasur fuqinë të na mahnisë. Megjithatë, siç thekson një analizë e fundit e kryer nga “CouponBirds”, sa më të larta të jenë pritshmëritë, aq më i madh është rreziku i zhgënjimit. Ky parim vlen edhe për kryeveprën e famshme të Leonardo da Vinçit, “Mona Lisa”, e përcaktuar si “vepra e artit më zhgënjyese në botë”. Sipas “CouponBirds” mes 18 000 vlerësimeve të veprave ndërkombëtare të artit, “Mona Lisa” u dallua për përqindjen e konsiderueshme të opinioneve negative, duke regjistruar 37,1%.
Ky rezultat është befasues, sidomos duke pasur parasysh famën mbarëbotërore të kësaj pikture. Pëlhura, e ekspozuar në Muzeun e Luvrit në Paris, ia kaloi edhe veprave po aq të famshme, si “Liberty Leading the People” (Liria që udhëheq popullin) nga Eugene Delacroix. Arsyeja kryesore e këtij zhgënjimi nuk qëndron në aftësinë artistike të Leonardos, por në vështirësitë që hasin vizitorët për ta shijuar plotësisht veprën. Luvri, me turmat e tij të çrregullta dhe çmimet gjithnjë në rritje të biletave, ofron një përvojë stresuese për vizitorët e tij.
Ndërkaq, duke përdorur rrezet X, shkencëtarët kanë mësuar njohuri mbi teknikat e përdorura nga Leonardo da Vinci për të pikturuar portretin revolucionar të “Mona Lizës”. Hulumtimi sugjeron se mjeshtri i famshëm italian i Rilindjes mund të ketë qenë në një humor veçanërisht eksperimental kur filloi të punojë në “Mona Lisa” në fillim të shekullit të 16-të.
Receta për bojë vaji që Leonardo përdori si shtresë bazë për përgatitjen e panelit të drurit të plepit duket se ka qenë ndryshe për “Mona Lisa”, me një përbërje kimike të veçantë karakteristike. “Atij i pëlqente të eksperimentonte dhe secila prej pikturave të tij është teknikisht krejtësisht e ndryshme”,-tha Victor Gonzalez, autori kryesor i studimit.
Një riimagjinim nga inteligjenca artificiale i kryeveprës ikonike të Leonardo da Vinçit, Mona Lisa, është shfaqur së fundmi në mediat sociale. Portreti i realizuar me inteligjencë artificiale ka ndezur një valë komentesh duke ofruar një perspektivë të re mbi veprën artistike të përjetshme.