Bota Travel

Venecia sërish me ‘dorë të hekurt’ ndaj turistëve, gjoba edhe për ata që qëndrojnë në ura ose shkallë!

Rregulla të reja janë vendosur në Venecia për të menaxhuar fluksin e vizitorëve. Eksperimentimi i biletës së hyrjes në qytet ka nisur që në muajin prill dhe synon të riorganizojë turizmin në vend, por së fundmi rregullat e reja kërkojnë të lehtësojnë jetën e atyre që jetojnë në qytet.

Janë me qindra turistë të huaj, veçanërisht amerikanë, të cilët zbarkojnë herët në mëngjes në Riva degli Schiavoni. Mirëpo, nga data 1 gusht do t’iu duhet të presin guida të specializuara që parashikon një kufi maksimal prej njëzet e pesë personash për grup. Më pas, udhëtarët ndahen në kontigjente të vogla. Midis rregullave të reja, parashikohet edhe ndalimi në vende si ura apo shkallë, që shkakton pengesë në lëvizjen e këmbësorëve.

Ditët e para të kësaj rregulloreje përgjithësisht janë zbatuar dhe ka pasur pak gjoba. Mirëpo temperaturat e larta e kanë bërë më të vështirë situatën për turistët, të cilët janë detyruar të grumbullohen në zona me hije duke krijuar një bllokim të përkohshëm trafiku. Këshilltari për Turizmin i Bashkisë së Venecias, Simone Venturini u shpreh:

Këto janë masat e vendosura për një bashkëjetesë më të mirë midis turistëve dhe atyre që jetojnë në qytet. Fokusi është të rritet cilësia e turizmit në Venecia, duke kufizuar stresin e shkaktuar nga një fluks i tepruar i këmbësorëve në zona të caktuara, i cili ndikon në cilësinë e jetës së banorëve dhe punëtorëve.