Për t’ju dhënë një nxitje më shumë, shkencëtarët kanë zbuluar se duhanpirësit që e lënë duhanin, veçanërisht në moshë të re, kanë shkallë shumë më të ulët të vdekshmërisë sesa ata që vazhdojnë. Në mënyrë të veçantë, sipas një studimi të ri shkencor mbi ndërprerjen e duhanit, duhanpirësit që e lënë duhanin para moshës 35-vjeçare kanë nivele të ngjashme vdekshmërie gjatë një periudhe të caktuar kohore si ata që nuk kanë pirë kurrë duhan.
Ish-duhanpirësit që e lanë duhanin midis moshës 35 dhe 44-vjeç kishin një shkallë më të lartë të vdekjes, 21% më shumë krahasuar me ata që nuk pinë kurrë duhan. Ata që e lanë duhanin midis moshës 45 dhe 54-vjeç kishin një shkallë vdekshmërie 47% më të lartë se jo duhanpirësit. Ky është studimi i tretë i madh që sugjeron se mosha 35 mund të jetë mosha ideale për të lënë duhanin, veçanërisht për duhanpirësit e rinj.
Studimi i ri përfshiu të dhëna nga anketa nga më shumë se 550,000 të rritur, të moshës 25 deri në 84-vjeç , të cilët iu përgjigjën pyetësorëve përkatës midis janarit 1997 dhe dhjetorit 2018. Ata përfshinin duhanpirësit aktualë, ish-duhanpirësit dhe njerëzit që kishin pirë më pak se 100 cigare gjatë jetës së tyre. Gati 75,000 nga subjektet e studimit kishin vdekur deri në fund të 2019.
Krahasuar me ata që nuk pinë kurrë duhan, duhanpirësit aktualë kishin një shkallë dukshëm më të lartë të vdekjeve nga të gjitha shkaqet, në përgjithësi, si dhe norma më të larta të vdekjeve nga kanceri, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive. Zakonisht duhanpirësit kanë frikë ta lënë duhanin pasi mendojnë se do të shtojnë peshë.
Një studim i fundit tregoi se fajtori për gjithçka mund të jetë truri ynë, i cili dëshiron të kompensojë mungesën e papritur të nikotinës në trup duke kërkuar ushqim të pashëndetshëm. Rikujtojmë se nga ana tjetër afro 3.2 milionë të rritur pinë cigare elektronike në Mbretërinë e Bashkuar, tregojnë të dhënat nga qeveria.