Auto & Moto

Vendosja e tarifave, automjetet elektrike kineze po humbasin terren në Evropë!

Tarifat e Bashkimit Evropian ngadalësuan fluksin e automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë në korrik. Lajmi vjen pasi blloku lëvizi për të mbrojtur prodhuesit e tij të automjeteve nga konkurrenca. Numri i automjeteve të reja elektrike që prodhuesit kinezë të automjeteve si BYD Co. dhe MG e SAIC Motor Corp. regjistruan në BE muajin e kaluar ra 45% nga qershori, sipas hulumtimit nga Dataforce.

Ai përpiloi rezultatet në 16 vendet anëtare që kanë raportuar shifrat e deritanishme. Tarifat e përkohshme, të cilat i rrisin detyrimet e importit deri në 48%, kanë për qëllim të mbrojnë një industri të rëndësishme të BE-së nga rivalët kinezë që gëzojnë avantazhe strukturore në fusha kyçe si teknologjia e baterive që kanë përfituar nga subvencionet shtetërore.

Tensionet politike mbeten të larta, me Pekinin që kërcënon të hakmerret mes bisedimeve për zgjidhjen e çështjes. Marka më e shitur e makinave në Kinë po ecën përpara me zgjerimin e saj në Evropë. Sponsorizimi i BYD për turneun e futbollit Euro 2024 në Gjermani e ekspozoi kompaninë para 5 miliardë shikuesve televizivë.

Kompanitë kineze të makinave i kanë bërë thirrje Pekinit që të “godasë” rivalët e BE-së me taksa importi deri në 25%, nëse blloku vendos tarifa për automjetet nga Kina. Kërkesa thuhet se është bërë në një takim me dyer të mbyllura të organizuar nga Ministria kineze e Tregtisë, ku morën pjesë edhe përfaqësues të kompanive evropiane. Bëhet e ditur se ky hap vjen pasi së fundmi BE-ja ka kërcënuar prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike me tarifa deri në 38%, duke filluar nga 4 korriku.

Ndërkohë, i pranishëm në takim konfirmohet të ketë qenë edhe gjiganti gjerman Volkswagen, i cili nuk ka pranuar të komentojë mbi atë që u diskutua. Edhe kompanitë e tjera evropiane që thuhet se ishin të pranishme, duke përfshirë BMW dhe Porsche, nuk kanë pranuar të flasin mbi takimin.