Qipro do të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkolla. Këtë ka pohuar Ministrja e Arsimit Athina Mihaelidou, duke theksuar se telefonat janë shumë shpërqendrues për nxënësit dhe çojnë në sjellje antisociale. Autoritetet planifikojnë të vendosin ndalimin pasi të diskutohet në parlament.
Qiproja do të vendosë një ndalim si disa vende evropiane që e kanë bërë tashmë këtë sipas rekomandimeve të Organizatës së OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). “Është e qartë se përdorimi i celularëve shpërqendron nxënësit në klasë, por në radhë të parë shoqërohet me një rritje të sjelljes antisociale. Nxënësve nuk do t’u ndalohet të sjellin telefona në shkollë, por nuk do të mund t’i ndezin”-sqaroi Athina.
Ndërkaq, sipas ekspertëve këto janë rregullat që duhen zbatuar nga prindërit dhe fëmijët e tyre:
1. Fëmijët nën tre vjeç i kanë të ndaluar të gjitha ekranet, përfshirë televizorin.
2. Fëmijët nga 3 deri në 6 vjeç do të lejohen që të përdorin tabletat dhe Tv vetëm në praninë e një të rrituri.
3. Lojërat në tablet dhe celularë janë të ndaluara nën moshën 6 vjeç.
4. Nuk ka celular para moshës 11 vjeç.
5. 11 dhe 13 vjeçarët mund ta përdorin celular, por pa internet. Ata që kanë akses në internet duhet ta përdorin telefonin në mbikëqyrjen e prindërve.
6. Fëmijët nën moshën 15 vjeç nuk duhet të kenë asnjë profil në mediat sociale, ndërsa ata mbi 15-18-vjeç do të lejohen që të përdorin vetëm ato aplikacione që konsiderohen ‘etike’, jo Instagram dhe Tik Tok.
Ekspertët thonë se kanë arritur një konsensus shumë të qartë mbi efektet negative të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, veçanërisht në gjumin, një mënyrë jetese të ulur që favorizon obezitetin dhe miopinë. Fushata kundër ekraneve të celularëve apo tabletave është pjesë e kërkesave nga prindërit dhe autoritetet në përgjithësi, por ende nuk është e qartë se si familjet do të jenë në gjendje të zbatojnë kufijtë në praktikë.