Bota

Vendi që do të ndalojë transmetimin e reklamave të duhanit!

Zvicra do të ndalojë reklamimin e produkteve të duhanit. Qeveria ka njoftuar vendimin i cili u miratua vitin e kaluar në një referendum. Kabineti tha se do të rrisë kufizimet e planifikuara tashmë për të ndaluar reklamat në vendet dhe mediat ku mund të shihet nga të rinjtë. Ligjet e reja do të hyjnë në fuqi nga mesi i vitit 2026 dhe do të forcojnë kufizimet në paketimin dhe reklamimin e duhanit.

Vendimi, i cili do të prekë median e shkruar, reklamat në internet dhe festivalet, është krijuar për të reduktuar konsumin e duhanit dhe vdekjet e lidhura me to. Pirja e duhanit mbetet relativisht e përhapur në Zvicër. Rreth 9,500 njerëz vdesin para kohe çdo vit si rezultat i konsumit të duhanit.

Në vitin 2022, 6,9% e zviceranëve të moshës 11-15 vjeç kishin pirë cigare çdo muaj, ndërsa 5,7% e të rinjve të moshës 15-24 vjeç kishin përdorur një cigare elektronike të paktën një herë në muaj, sipas të dhënave. Reklamimi në internet do të lejohet pasi janë vendosur sistemet e kontrollit të moshës.

Ndërkaq, praktikat inovative për të ndaluar pirjen e duhanit janë zhvilluar gjithnjë e më shumë nga shkencëtarët vitet e fundit me ndihmën e inteligjencës artificiale, me aplikacionin Quit Sense. Ai zbulon se ku dhe kur një duhanpirës mund të ndiejë dëshirën për të ndezur një cigare dhe më pas ofron mbështetje për të menaxhuar shkaqet specifike që lidhen me pirjen e duhanit. Kjo është një risi nga shkencëtarët në Universitetin e Anglisë Lindore.

Rikujtojmë, se një paketë e cigareve elektronike falas do t’u shpërndahet 1 milion duhanpirësve në Britaninë e Madhe për t’i inkurajuar ata të lënë produktet e duhanit. Në deklaratën e bërë nga Ministria Britanike e Shëndetësisë, thuhet se në kuadër të programit kombëtar të krijuar për të ulur normën e duhanpirjes, 1 milion përdorues do të inkurajohen të zëvendësojnë cigaret e tyre me cigare elektronike.