Në një vend afrikan, vajzat detyrohen që të jenë të shëndosha. Në Mauritania, gra të tilla janë një simbol i bukurisë. Për shkak të këtij simboli, disa prindër ende i detyrojnë vajzat të jenë obeze duke i detyruar ato të konsumojnë deri në 16,000 kalori në ditë, që është madje gjashtë herë më shumë se sasia e kalorive që është e nevojshme për një mashkull të rritur.
Një trup i shëndoshë është ideali i bukurisë femërore në Mauritania. Kjo traditë zuri rrënjë shumë shekuj më parë, kur bagëtitë e majmura konsideroheshin simbol i pasurisë. Po kështu, nëse vajza që do të martohet është e shëndoshë, kjo është dëshmi se ajo vjen nga një familje e pasur ku kishte ushqim të bollshëm. Në këtë vend, ku një trup i madh konsiderohet i bukur, vajzat e reja dërgohen në kampe speciale në shkretëtirë, ku ato ushqehen me forcë dhe kështu përgatiten për martesë.
Edhe pse në vitin 2003 qeveria e Mauritanisë filloi një fushatë kundër abuzimit të fëmijëve dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet shëndetësore të obezitetit, në zonat rurale kjo traditë është ende e rrënjosur thellë. Kjo praktikë, siç shpjegohet nga një gazetar mauritanian, imponohet nga burrat, të cilët vlerësojnë dhe duan të martohen vetëm me vajza obeze.
Zakonisht për mëngjes hanë bukë të njomur me vaj ulliri dhe pinë qumësht deveje. Ushqimi nuk ndalet gjatë gjithë ditës, dhe menuja përfshin mish dhie, fiq, makarona. Dr. Muhamed Old Madene, doktor i mjekësisë urgjente, thekson se në Mauritani, veçanërisht në zonat rurale, numri i pacientëve femra me diabet, hipertension, sëmundje të zemrës dhe depresion është në rritje.