Nepali ka marrë vendim të ndalojë aplikacionin e ndarjes së videove TikTok, pasi sipas vendit përmbajtja e platformës ishte e dëmshme për harmoninë sociale. Vendimi vjen disa ditë pasi vendi prezantoi një rregull të ri që kërkon që firmat e mediave sociale të krijojnë zyra ndërlidhëse në vend.
TikTok, i cili ka rreth një miliard përdorues në muaj, është ndaluar nga disa qarqe, përfshirë Indinë. Në fillim të këtij viti, Montana u bë shteti i parë amerikan që e ndaloi atë, ndërsa Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar e ndaloi atë nga rrjeti i tij. Por, nuk u mbyll me kaq, Edhe rrjeti social TikTok paditi Montanën për të bllokuar një ligj që do të ndalojë shkarkimin dhe përdorimin e aplikacionit në shtetin amerikan duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Sipas rrjetit social në pronësi të ByteDance, ndalimi shkel Kushtetutën e SHBA-ve, përfshirë Amendamentin e Parë, si dhe ligje të tjera federale. Ndërkaq, Ministrja e Komunikimeve dhe Teknologjisë së Informacionit, Rekha Sharma tha për BBC Nepali se platforma përhap përmbajtje me qëllim të keq. Ajo shtoi se ndalimi do të hyjë në fuqi menjëherë dhe autoritetet e telekomit janë drejtuar për të zbatuar vendimin.
Rikujtojmë, se TikTok u gjobit me 345 milionë euro për shkeljen e ligjeve të BE-së për të dhënat gjatë menaxhimit të llogarive të fëmijëve. Mbikëqyrësi i të dhënave i Irlandës, i cili rregullon TikTok në të gjithë BE-në, tha se kompania kineze kishte kryer shkelje të shumta të rregullave të mbrojtjes së të dhënave. U zbulua se TikTok kishte shkelur rregullat e mbrojtjes së të dhënave duke aktivizuar opsionet e komenteve publike, duke mos kontrolluar nëse llogaritë e fëmijëve janë të lidhura me llogaritë e prindërve të tyre dhe duke mos marrë parasysh rreziqet për përdoruesit nën 13-vjeç.