Filmi “Barbie” i Greta Gerwig, ishte ndaluar më parë në Vietnam dhe Filipine dhe së fundmi edhe në Liban. Ministri i kulturës i vendit, Mohammad Mortada, tha se filmi promovon ‘homoseksualitetin dhe vlerat kundërshtuese që lidhen me besimin dhe moralin’. Ai i kërkoi agjencisë së Sigurisë së Përgjithshme të Libanit, e cila është nën ministrinë e brendshme dhe është tradicionalisht përgjegjëse për vendimet e censurës në vend, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të parandaluar shfaqjen e filmit.
Duket se ky film nuk është pritur aspak mirë në Lindjen e Mesme për nxjerrjen në pah të homoseksualëve dhe transgjinorëve. Vendi i radhës që e ka ndaluar është Kuvajti. “Ndalohet shfaqja e filmave “Barbie” dhe “Talk To Me””,-tha presidenti i bordit për censurën e kinemasë Lafi Subaiei. Ai shpjegoi se autoritetet mund të ndalojnë çdo gjë që cenon moralin publik, rendin publik dhe traditat duke futur ide të huaja në shoqëri.
“Përpara se të merrnin një vendim, autoritetet kërkuan fshirjen e disa skenave të turpshme që nxisin sjellje të papranueshme”, tha ai pa specifikuar se për çfarë bëhej fjalë. Ndërkaq, “Barbie” është duke bërë namin. Një fenomen i çuditshëm është vënë re në tregun britanik të bukurisë, pas promovimit të filmit tek popullata mashkullore. Duket se është rritur numri i meshkujve që provojnë procedurat estetike për herë të parë, pas pandemisë. Tregu i kozmetikës në Mbretërinë e Bashkuar tani vlerësohet të jetë me vlerë 500 milion£, ndërsa Shoqata Amerikane e Kirurgëve Plastikë vëren se ‘Brotox’ është rritur me 400% që nga viti 2000.