Bota

Vendet me vdekshmëri më të lartë si pasojë e temperaturave ekstreme…

Mbi 47,000 persona vdiqën në Evropë për shkak të temperaturave ekstremisht të larta në vitin 2023 dhe vendet në jug të kontinentit vuajtën pasojat më të rënda, sipas një raporti të Institutit të Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal). Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar në botë. Ndërkohë që temperaturat vazhdojnë të ngrihen për shkak të ndryshimeve klimatike, evropianët jetojnë në kontinentin me ngrohjen më të shpejtë në botë, duke u përballur me rreziqe në rritje për shëndetin.

Numri i vdekjeve në vitin 2023  më i ulët sesa ai prej 60,000 vdekjesh të lidhura me nxehtësinë në vitin paraprak do të kishte qenë 80% më i lartë po të mos ishin zbatuar masat e 20 viteve të fundit për të ndihmuar njerëzit të përshtaten me temperaturat në rritje, si sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe përmirësimet në kujdesin shëndetësor, sipas raportit të qendrës kërkimore spanjolle.

“Përfundimet tona tregojnë se gjatë këtij shekulli janë ndërmarrë hapa që shoqëria të përshtatet me temperaturat e larta, që kanë reduktuar në mënyrë dramatike pasojat e nxehtësisë dhe shkallën e vdekshmërisë, veçanërisht mes të moshuarve,”-thotë Elisa Gallo, studiuese në ISGlobal dhe autore e studimit. Studiuesit përdorën të dhënat e vdekjeve dhe temperaturës nga 35 vende evropiane. Ata vlerësojnë se 47,690 vdiqën nga shkaqe që lidhen me temperaturat e larta. Greqia, Bullgaria, Italia dhe Spanja ishin vendet me shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga nxehtësia.

Agjencia spanjolle e motit ka paralajmëruar se temperaturat mund të jenë më të larta se normalet deri në muajin tetor. Nuk ka fund vera e nxehtë në Evropë, pasi paralajmërimet për valë të nxehtit janë lëshuar nga Spanja në Gjermani. Thatësirat dhe zjarret kanë shpërthyer në të gjithë Mesdheun si pasojë e motit të nxehtë, i cili duket se do të vazhdojë gjatë gjithë gushtit dhe më tej në disa pjesë.

Nxehtësia ekstreme aktualisht merr më shumë se 175 mijë jetë çdo vit në Evropë, me shifra që do të rriten, sipas një raporti të publikuar sot nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Paralajmërimet e verdha, portokalli dhe të kuqe për valë të nxehti janë lëshuar nga Agjencia Meteorologjike e Spanjës (AEMET) pasi temperaturat kërcënojnë të arrijnë 43 gradë Celsius në juglindje.