Aktualitet Sociale

Vendet me rrezik më të lartë varfërie! Shqipëria në krye të listës?

Në një raport të publikuar të martën mbi rrezikun e varfërisë dhe përjashtimin social në Evropë, Shqipëria paraqitet me tregues alarmantë. Të dhënat e vitit 2021 tregojnë se 46.5% e popullsisë në rajonin jugor, 46.6% në rajonin qëndror dhe 46.7% në rajonin verior ishin në rrezik varfërie dhe përjashtimi social.

Këto shifra janë dukshëm më të larta se ato të vendeve fqinje në Ballkanin Perëndimor: Mali i Zi ka 34.1%, Maqedonia e Veriut 32.6%, dhe Serbia 30%. Për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, nuk ka të dhëna të disponueshme.

Sipas Eurostat, në vitin 2023, rreth 21.4% e popullsisë europiane, ose 94.6 milionë njerëz, ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social. Rajonet me nivelet më të larta të rrezikut ndodhen në territorin më të largët francez, në jug të Italisë dhe në rajonet rurale të Rumanisë.

“Rreziku për të qenë i varfër”, sipas Eurostat, përfshin individët që janë të privuar rëndë materialisht dhe socialisht dhe jetojnë në familje me të ardhura shumë të ulëta nga punësimi.

Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një individ në vitin 2022 është vlerësuar në 225,931 lekë, një rritje nga 191,791 lekë në vitin 2021. Në vitin 2021, rreth 622,705 individë jetonin nën këtë kufi, ndërsa në vitin 2022 ky numër ka rënë në rreth 576,316 individë.