Gjatë periudhës së shtatzënisë nënat e reja i pushton ankthi dhe frika e dhimbjeve të lindjes dhe problematikave që mund të shkaktohen prej tyre. Ekzistojnë edhe qetësues të cilët e bëjnë më të lehtë këtë proces, por vetë ekspertët këshillojnë se lindja natyrale rezulton më e shëndetshme. 85% e grave i nënshtrohen një lindjeje natyrale. Në rastet që paraqesin komplikacione, janë të nevojshme disa ndërhyrje të caktuara mjekësore. Të dish se çfarë të pret në një ditë kaq të rëndësishme të bën të përjetosh një përvojë më të qetë dhe më pak nervoze.
Mund t’i bëni pyetje mjekut tuaj apo të merrni pjesë në seminare dhe diskutime të ndryshme për nënat e reja. Mësoni për teknikat e menaxhimit të lindjes. Për shkak se lindjet natyrale nuk parashikojnë marrjen e qetësuesve, ju duhet të njiheni me mënyra të tjera se si ta administroni dhimbjen. Disa prej tyre janë relaksimi, frymëmarrja, masazhi dhe vetëhipnoza. Ka shumë teknika për menaxhimin natyral të dhimbjes. Mësoni se si t’i provoni të gjitha dhe zgjidhni atë me të cilën ndiheni më mirë.
Zgjidhni vendin e përshtatshëm. Shumë gra zgjedhin të lindin në spitale publike, të tjera në qendra lindjeje private dhe një pjesë e tyre në shtëpi sepse aty ndihen më mirë. Merrni në konsideratë të gjitha alternativat dhe zgjidhni një vend ku të ndiheni komode, por dhe e sigurt gjithashtu.
Zgjidhni ofruesin e duhur të kujdesit shëndetësor. Ajo që duhet të bëni është të qëndroni në kontakt me një staf të përgatitur për këto situata dhe që e njeh mirë gjendjen tuaj. Sigurohuni që të shmangni kilogramët e tepërta sepse të qenit mbipeshë ju vë në risk para komplikimeve të caktuara si diabeti apo pre-eclampsia, duke ju sjellë probleme me lindjen natyrale.
Lejoni që trupi juaj të shkoje vetë drejt lindjes. Procesi i lindjes është më i lehtë nëse keni pranë dikë që ju jep udhëzimet e duhura. Lëvizni, bëni banjë, hani dhe bëni gjëra të tjera pa e pasur mendjen tek ora. Zgjidhni një pozicion të përshtatshëm për lindjen. Disa gra mendojnë se ndihen më mirë nëse lindin në pozicion me shpinë, por nuk rekomandohet.
Nëse nuk ndiheni mirë shtrirë, mund të kërkoni ta provoni ulur ose në pozicion të mbledhur. Mbani beben pranë vetes pasi ta keni lindur. Kontakti lëkurë me lëkurë promovon rregullimin e temperaturës, ritmin e zemrës dhe të frymëmarrjes së vogëlushit tuaj. Të qenit së bashku në një dhomë do ju ndihmojë të dyve për ta ndjerë akoma më tepër afrimitetin e shumëpritur.