“Saliu nuk është arsye për të përçarë një qytet, Tirana do të vijojë të ecë përpara”.
Kështu u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në deklaratën e tij mbi vendimet e miratuara sot në Këshillin Bashkiak. Ai tha se koha për debat u uzurpua nga ata që vandalizmin e qytetit donin ta sillnin edhe në sallën e Këshillit Bashkiak.
“Është e pamundur të diskutosh me njerëz që u bien tavolinave, që shkatërrojnë karriget dhe pronën publike. Nuk bën dot betejë civile, qytetare. Unë jam shumë i qartë se ata njerëz nuk përfaqësojnë demokratët e vërtetë. Unë kam demokratë komshinj, të gjithë kemi shokë demokratë në vendet e punës, krushqi e kushërinj. Demokratët janë njerëz normalë, nuk janë njerëz të dhunshëm. Këta nuk përfaqësojnë as demokratët, as atë që është pjesa e shëndoshë e një shoqërie, që do të bëjë opozitë për gjëra që i mendon ndryshe nga ata që qeverisin qytetin apo vendin.
Ndihem vërtet i keqardhur! Përpara se të hapen kamerat në Këshillin Bashkiak, [këshilltarët e opozitës] janë shend e verë, diskutojnë si qytetarë. Sa ndizet kamera dhe i sheh Saliu, shpërfytyrohen dhe papritur ti nuk e beson që janë të njëjtët njerëz që fillojnë u bien tavolinave, nuk ka rëndësi nëse janë profesorë në universitet apo fëmijët e një pastori të sjellshëm. Në momentin që i shikon Saliu, ata duhet të sillen me pritshmërinë e tij dhe pritshmëria e tij është zjarr, shkatërrim, përçarje, sharje, fyerje”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se Saliu nuk është arsye e fortë për të përçarë një qytet. “Ata [opozita] kanë vendosur të bëjnë këtë teatër për një njeri që është në arrest shtëpie dhe që vetë nuk ia mban, se është frikacak. Mund të kishin votuar sot nëse do kuptonin se ka Shqipëri edhe pa Saliun. Shqipëria do të jetojë përtej moshës, gjithmonë, përtej mandateve, gjithmonë.
Për të lënë një emër të mirë për këtë Shqipëri, ju ftoj të bëheni pjesë e një bisede civile, le të jeni në opozitë. Unë nuk besoj se shumica e demokratëve dhe e opozitarëve janë të dhunshëm. Me ose pa ju, Tirana do të vijojë përpara. Saliu nuk është arsye e fortë për të përçarë një qytet që ka vlera”, nënvizoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi faktin se pavarësisht bllokimeve të vazhdueshme të kundërshtarëve politikë, Tirana do të ecë përpara me punët e mira.
“Vendimi që kemi marrë të gjithë bashkë është që qyteti do shkojë përpara, Tirana do të ecë përpara. Tirana do të vazhdojë zhvillimin dhe do të duhet të marrë vendime të shpeshta dhe të shumta, siç janë këto vendimet që kemi marrë sot”, përfundoi ai.
Këshilltarët e djathtë tentuan të bllokojnë miratimin e kredive të buta, ndihmën ekonomike dhe një sërë vendimesh të rëndësishme.