Në vijim të vizitës në kryeqytetin japonez Tokio, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u takua edhe me kreun e Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze, Minoru Kiuchi. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se në biznes, turizëm e politikë, pret më shumë bashkëpunime Tiranë-Tokio.
Eshtë gjithmonë kënaqësi të takoj mikun e mirë, Minoru Kiuchi, kryetari i Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze! Mezi pres më shumë bashkëpunime midis Tokios dhe Tiranës në biznes, turizëm dhe politikë!
Një ditë më parë, Veliaj informoi se në kryeqytetin e Japonisë ndodhet për një vizitë të shkurtër, për të përfaqësuar B-40/ën, presidencën e të cilës e ka Tirana.
Kryetari i Bashkisë Tiranë e përmbylli vizitën në Japoni me një takim me komunitetin shqiptar në Tokio. Ndërsa publikoi foto nga takimi, Veliaj nënvizon rolin kyç që ka komuniteti shqiptar atje në forcimin e lidhjes mes dy vendeve.
Në mbyllje të vizitës së shkurtër ne Tokio, një përqafim me komunitetin ne Japoni, modest ne numra por kyç për forcimin e lidhjeve! Shume mirënjohje Ambasadorit Gjergj Teneqexhiu dhe misionit tone për punën e palodhur e të përkushtuar prej vitesh.
Gjatë vizitës në Japoni, Veliaj promovoi Zonën e Lirë Ekonomike “TEDA Tirana”, për kompanitë japoneze në fushën e teknologjisë gjatë samitit të Teknologjisë në Tokio, ndërsa u takua me përfaqësues të shtetit si kryetarja e Bashkisë së Tokios, Yuriko Koike duke theksuar se “marrëdhëniet e mira që janë do të fuqizohen edhe më tej”.
Në janar, Tirana mori drejtimin e rrjetit të qyteteve të Ballkanit, B-40, rrjeti më i madh i bashkive të Mesdheut, i krijuar dy vite më parë. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Erion Veliaj pati theksuar se përgjatë presidencës së Bashkisë së Tiranës, B-40 do të diskutojë rrugët për t’iu përshtatur zhvillimit të kohës, teksa kryeqytetin e Shqipërisë e quajti “shembull të transformimit”. Më 30 janar 2024, shprehej:
Ne e hapim kanat zemrën për mikun dhe për të gjithë miqtë që janë këtu sot, e kemi zemrën të mbushur plot. Mikpritja nuk është një rrugë me një drejtim, është një rrugë vajtje-ardhje, është marrje dhe dhënie. Besoj se sot jemi në vendin e duhur ku guri i qoshes është pikërisht bashkëpunimi, marrja dhe dhënia me njëri-tjetrin. Jemi me zemrën e hapur për miq si ju, gati t’ju presim, t’ju japim edhe ne pjesën tonë më të mirë të kulturës e mikpritjes sonë dhe është koha për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes nesh si kurrë më parë.
Propozimi i parë i Veliajt për 40 bashkitë e këtij rrjeti, ishte krijimi i një fondi të përbashkët për të përballuar fatkeqësitë natyrore.