Aktualitet

Veliaj dhe Sako kryebashkiakët e Tiranës e Durrësit, KQZ-ja certifikon rezultatet e vendoreve të 14 Majit!

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sot miratoi tabelat përmbledhëse për vendoret e 14 Majit në bashkitë e Tiranës dhe të Durrësit.

Celibashi bëri të ditur se sipas tabelave përmbledhëse të zgjedhjeve për kryetar bashkie në Tiranë rezultojnë 302 695 fletë votimi të gjetura në kuti, nga të cilat 11 939 janë vota të pavlefshme, 339 fletë votimi të hedhura gabim dhe 290 446, fletë votimi të vlefshme.

Sipas rezultatit përfundimtar të miratuar nga KQZ-ja, kandidati fitues për kryetar të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka marrë 158 856 vota, ndërsa kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, 100 425.

Kandidati Arlind Qorri nga “Lëvizja Bashkë” siguroi 13 851 vota, Roland Bejko nga PD, 12 398, Marko Dajti nga “Fronti i Majtë” 2809 dhe Lajla Përnaska nga PDIU 2107 vota.

Sa i përket zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Bashkiak Tiranë, kryekomisioneri informoi se në kuti u gjetën 302 698 fletë votimi, nga të cilat 10 331 janë vota të pavlefshme, 343 fletë votimi në kutinë e gabuar dhe 292 052 vota të vlefshme. Celibashi bëri të ditur se PS ka marrë 147 272 vota, Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, 68 mijë.

PD ka marrë 19 827 vota, PSD 12 796, Lëvizja Bashkë 7539, Nisma Thurje 6993, PDIU 5313, Aleanca Progresiste LZHK 4760, PR 4454, PLL 3529, PAA 3396, Aleanca Arbnore Kombëtare 1957, Fryma e Re Demokratike 1735, Partia Konservatore 1723, PDS 1509, Aleanca Liberale e Djathtë 694 dhe Partia Balli Kombëtar 555 vota.

Në mbledhjen e sotme, KQZ miratoi edhe tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të bashkisë dhe për Këshillin Bashkiak, në zonën zgjedhore Bashkia Durrës.

Në zgjedhjet për kryetar bashkie në Durrës rezultojnë 89 871 vota në kuti, nga të cilat 2478 të pavlefshme, 102 fletë votimi të hedhura gabim dhe 87296 janë vota të vlefshme.

Kandidatja fituese e mbështetur nga PS-ja, Emiriana Sako mori 48 512 vota, ndërsa kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara, 38 784.

Për sa i përket zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Bashkiak Durrës, Celibashi informoi se në kuti u gjetën 89 648 fletë votimi, nga të cilat 2773 të pavlefshme, 120 në kutinë e gabuar dhe 86 757 vota të vlefshme. PS-ja ka marrë 43 861 vota, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” 21 286.

Po ashtu, PD mori 8111 vota, PAA 5378, PSD 2343, PDIU 1811, Aleanca Liberale e Djathtë 663, Fryma e Re Demokratike 642, PR 631, Ardhmëria Shqiptare 610, Aleanca Progresiste LZHK 531, PDS 404, PLL 347 dhe Partia Balli Kombëtar 139 vota.